Personat që shihni në foto janë 3 autorët e dyshuar të vrasjes së çiftit Kreshnik dhe Gentjana Mujeci, paraditen e së dielës në fshatin Balldren të Lezhës. Ata janë R.M., djali i G.M., të vrarë në Shkodër në vitin 2016, si dhe A.M dhe F.M., dy nipat e tij.

Të tre autorët e dyshuar janë shpallur në kërkim nga policia, e cila tha se vrasja ka si motiv hakmarrjen, pikërisht për vrasjen e ndodhur 10 vite më parë.

“Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se vrasja ka ndodhur për arsye hakmarrjeje. Përsa i përket autorëve, pas identifikimit të tyre, nga ana e strukturave policore janë ushtruar kontrolle në disa banesa dhe ambiente të tjera, por nuk është bërë e mundur gjetja e tyre. Këta shtetas janë shpallur në kërkim”, tha kreu i policisë së Lezhës, Arben Nasufi.

Sa i takon organizimit të ngjarjes, vrasësit kanë qenë të ndarë në dy automjete: në një Volkswagen ku lëviznin dy qitësit, ndërsa me këtë Audi që shihni në foton e siguruar nga Tv Klan, udhëtonte vëzhguesi i çiftit Mujeci.

“Nga dinamika e ngjarjes rezulton se automjeti tip Audi A4 ka mbajtur në vëzhgim lëvizjen e shtetasit Kreshnik Mujeci. Më pas, një automjet tjetër tip Volkswagen, pa targa, dyshohet se i ka prerë rrugën automjetit me të cilin udhëtonte shtetasi Kreshnik Mujeci, së bashku me bashkëshorten e tij, dhe shtetasit që ishin në automjet kanë qëlluar me breshëri armësh në drejtim të automjetit të tij.”

Kreshnik Mujeci, që mbeti i vrarë së bashku me bashkëshorten e tij Gentjanën, rezulton të jetë arrestuar me vëllain e tij në vitin 2017, i akuzuar se bashkë me kushëririn e tyre J.M. kishin vrarë G.M.

Por vetëm një vit më pas, Mujeci dhe i vëllai fituan pafajësinë në Gjykatën e Shkodrës, vendim ky që u la në fuqi edhe nga Apeli. Megjithatë, vetëm dy vite më parë, Gjykata e Lartë prishi këtë vendim, duke e rikthyer sërish çështjen për rigjykim në Apel.

Tv Klan

/tvklan.al