Izraeli nuk dërgon delegacion për bisedime
Zbehen shpresat për një armëpushim në Rripin e Gazës para nisjes së muajit të shenjtë të Ramazanit.
Ndryshe nga Hamasi, Izraeli nuk dërgoi delegacion në Kajro për negociatat e ndërmjetësuara nga Egjipti dhe Katari, një lëvizje që duket si një bllokadë serioze në përpjekjet për t’i dhënë fund luftimeve që prej 5 muajsh i kanë marrë jetë mbi 30 mijë gazanëve.
Zyrtarët në Tel Aviv kërkuan nga Hamasi, që para nisjes së bisedimeve të deklaronin me saktësi numrin e pengjeve që kanë ende në duar, në mënyrë që të përllogaritej numri i të burgosurve palestinezë që do të liroheshin në shkëmbim. Megjithatë, Hamasi tha se është e pamundur të jepet një shifër e saktë sa izraelitë mbahen peng për shkak të bombardimeve intensive të ditëve të fundit nga ushtria izraelite që ka dëmtuar rëndë infrastrukturën e militantëve të organizatës palestineze.
Mendohet që në duart e Hamasit të jenë ende 130 izraelitë. Organizata që qeveris Rripin e Gazës thotë se jo të gjithë pengjet janë në duart e tyre, por mbahen edhe nga organizata të tjera palestineze si Xhihadi Islamik. Tel Avivi i ka vënë ultimatum Hamasit, 10 Marsin si datën e nisjes së sulmit tokësor në Rafah, nëse nuk lirohen të gjithë pengjet. Për aleatët perëndimorë, sulmi tokësor në Rafah mund të thellojë katastrofën humanitare në këto territore.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 