Policia e Durrësit zbuloi një bazë armësh në fshatin Shkallnur në një banesë të pabanuar dhe gjysmë të ndërtuar.

Brenda saj u gjetën 4 armë zjarri kallashnikovë me 20 krehra dhe qindra fishekë luftarak, teksa policia vuri në pranga dy të rinj në momentin që ata po kontrollonin armët.

Këto pamje tregojnë momentet e arrestimit të Hekuran Troplini 20 vjeç dhe Emiljano Pashos 19 vjeç, të vëzhguar prej disa muajsh nga hetuesit.

Policia tha zyrtarisht se këta shtetas kanë shitur armë zjarri grupeve kriminale dhe për transportin e tyre përdorinin një motomjet që është sekuestruar.

Gjatë kontrolleve të ushtruara, gjithashtu u sekuestruan edhe 4 celularë që do t’i nënshtrohen akt ekspertimit për të parë nëse do të ketë komunikime që do ndihmojnë hetimin për identifikimin e personave të tjerë.

Gjithashtu u sekuestruan para dhe lëndë narkotike.

Operacioni u përshëndet edhe nga ministri i Brendshëm, Taulant Balla, i cili me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, tha se policia po godet sistematikisht fenomenin e armëmbajtjes pa leje.

Tv Klan