Mbetja jashtë Kupave të Europës për sezonin e ardhshëm ka revoltuar tej mase drejtuesit e Lyon. Presidenti i klubit, Jean Michel Aulas po polemizon fort kundër këtij vendimi të drejtuesve të futbollit francez për të ndërprerë sezonin kur gjithçka ishte e hapur sa i përket llogarive.

“Pezullimi solli 900 milionë Euro humbje për futbollin francez. Kjo mund të ndikojë në jetët tona”, tha Aulas për mediat gjermane, ku zbuloi edhe datën e mundshme të sfidës së kthimit për 1/8 e UEFA Champions League përballë Juventusit.  Numri 1 i klubit francez pohoi se ndeshja ndaj bardhezinjve do të luhet më 7 Gusht në Torino pa praninë e tifozëve.

Menjëherë pas kësaj deklarate, prestigjiozja spanjolle “Marca” ka zbuluar planin e UEFA-s për të përfunduar edicionin e këtij sezoni në Champions dhe Europa League. Sipas draftit të hartuar nga UEFA, ndeshjet e dyta të fazës së 1/8 do të luhen në datat 7 dhe 8 Gusht.

Të premten e 7 Gushtit do të luhen takimet e kthimit Juventus-Lyon dhe Manchester City-Real Madrid, ndërsa një ditë më pas Bayern Munchen-Chelsea dhe Barcelona-Napoli.

Në datat 11 dhe 12 Gusht luhen takimet e para të kësaj faze, ndërsa në datat 14-15 Gusht luhen takimet përmbyllëse të fazës çerekfinale. Faza gjysmëfinale e Champions do të luhet në datat 18-19 Gusht dhe 21-22 Gusht, për të kulmuar me finalen e madhe të planifikuar të luhet në datën 29 Gusht në Stamboll. Ndërkaq, Europa League do e rinisë rrugëtimin më 2 dhe 3 Gusht, për ta mbyllur me finalen e Gdansk më 27 Gusht.

Klan Plus