Arrestohet Luciano (Albano) Deraj. Municioni luftarak dyshohet se është përdorur në ngjarje kriminale

Një ngjarje kriminale e parandaluar dhe disa dosje të vjetra të arkivuara, pritet të zbardhen nga ky aksion i forcave speciale në Babicë të Vlorës.

Në bazën e sofistikuar të armatimit që u zbulua në Vlorë, policia ka gjetur një pistoletë stilolaps. Arma e rrallë ishte e pajisur me 40 fishekë. Pistoletat-stilolaps janë përdorur në të kaluarën nga policia sekrete dhe kundër zbulimi.

Luciano ose Albano Deraj, person me precedente penale i mbajtur nën vëzhgim për rreth 2 muaj, u arrestua në dhomën e gjumit në shtëpinë e tij ndërsa policia zbuloi se armët e kalibrave të ndryshëm i kishte fshehur në tavanin e vilës.

Drejtuesi i Policisë së Vlorës, beson se i arrestuari, që dyshohet se është anëtar i një grupi kriminal në Vlorë, pritet të zbardhë më shumë të dhëna se kujt i përkisnin këto armë ndërsa të dhënat shkencore pritet të zbulojnë se në çfarë ngjarje kriminale janë përdorur.

Policia e Vlorës gjatë muajit shkurt, sekuestroi një tjetër arsenal armësh zjarri të cilat dyshohet se do përdoreshin për ngjarje kriminale, për llogari të grupeve kriminale.

Klan News