Janë identifikuar mekanizmat që e bëjnë njeriun të pëlqejë rrezikun. Sipas një studimi të publikuar në revistën shkencore Movement Disorders, janë kryer kërkime mbi pacientë që vuajnë nga Parkinson. Zona e trurit ku janë fokusuar shkencëtarët ka një rol thelbësor në marrjen e vendimeve, por njëkohësisht shërben si frenim për ato që janë të rrezikshme.

Nga kërkimet e deritanishme rezulton se rrjeti i strukturave të vogla neurale që ndihmon koren e trurit për të kontrolluar lëvizjet, ndikon në mënyrë thelbësore në kontrollin edhe të sjelljeve, duke sjellë edhe tendencën ndaj rreziqeve.

Tek pacientët që vuajnë nga Parkinson, këto rrjete neurale nuk funksionojnë më në mënyrë korrekte dhe pasojat nuk janë vetëm mbi lëvizjen motorike të trupit, por edhe mbi proceset e vendimmarrjes, duke shkaktuar një shqetësim që ka të bëjë me kontrollimin e impulseve, që rrit tërheqjen kundrejt gjithçkaje që është e rrezikshme.

Sipas një prej autorëve të studimit, rezultati është një hap përpara në fushën e shkencës, mjaft i rëndësishëm, pasi do të ndihmojë mbi të gjitha edhe në aplikimin e terapive plotësisht të personalizuara për çdo pacient që vuan nga Parkinson.