Policia e Tiranës ka bllokuar një veturë të blinduar në pronësi të Nelgert Patës, e cila qëndronte e parkuar pranë banesës së tij, pranë ish- ekspozitës në kryeqytet.

Vetura e markës BMW, seria 3, qëndronte e parkuar jo shumë larg shtëpisë së babait të Nelgert Patës, Astrit Pata, pranë në një bllok pallatesh pranë rrugës “Myslym Shyri”.

Ky i fundit pasi kishte vënë re mungesën e mjetit në vendin e parkuar kishte njoftuar sallën operative të policisë nëpërmjet telefonit.

Ai pretendonte se i kishin vjedhur veturën, të cilën e kishte të parkuar prej shumë ditësh në atë vend.

Burimet e policisë thane se automjeti është bllokuar, pasi dyshohej se mund te kishte armë apo sende të kundraligjshme. Madje jo shume larg vendit ku ishte parkuar makina u plagos në atentat Andi Mustafaraj. Ky i fundit njihet si person i afërt me grupin e Elton Çiçës, i vrare më 2 maj të këtij viti në kryeqytet.

Pas komunikimit me policinë, Astrit Pata është njoftuar se mjeti është bllokuar nga policia për qëllime hetimore, por se deri më tani nuk bëhet e ditur nëse janë gjetur sende të kundraligjshme apo jo./ TV KLAN