Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, deklaroi këtë të shtunë se bisedimet trepalëshe dy-ditore me Rusinë dhe Shtetet e Bashkuara në Abu Dhabi përfunduan me diskutime “konstruktive” mbi “parametrat e mundshëm për përfundimin e luftës”.

Këto bisedime janë rasti i parë që dihet publikisht, kur zyrtarë të administratës Trump janë ulur në tryezë me të dyja palët, në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të nxitur përparimin drejt përfundimit të pushtimit rus, i cili po hyn në vitin e katërt.

“Të gjitha palët ranë dakord t’u raportojnë kryeqyteteve të tyre për çdo aspekt të negociatave dhe të koordinojnë hapat e mëtejshëm me udhëheqësit e tyre,” shkroi Zelensky në Telegram. Ai shtoi se përfaqësuesit ushtarakë identifikuan çështje për një takim të mundshëm të radhës, i cili mund të zhvillohet që javën e ardhshme.

Udhëheqësi ukrainas tha se ekziston “një mirëkuptim për nevojën e monitorimit dhe kontrollit amerikan të procesit të përfundimit të luftës dhe garantimit të sigurisë reale”.

Në bisedime morën pjesë të dërguarit amerikanë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, së bashku me zyrtarë ukrainas, përfshirë kryenegociatorin Rustem Umerov dhe shefin e inteligjencës ushtarake Kyrylo Budanov. Rusia dërgoi përfaqësues të inteligjencës ushtarake dhe të ushtrisë, sipas Zelenskyt.

Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe kishte deklaruar më herët se bisedimet janë pjesë e përpjekjeve “për të nxitur dialogun dhe për të identifikuar zgjidhje politike për krizën”, citon Associated Press.

Ndërsa Zelensky tha të enjten në Davos të Zvicrës se një marrëveshje e mundshme paqeje është “pothuajse gati”, disa pika të ndjeshme (veçanërisht ato që lidhen me çështjet territoriale) mbeten ende të pazgjidhura.

Vetëm disa orë para nisjes së bisedimeve trepalëshe të premten, presidenti rus Vladimir Putin diskutoi zgjidhjen e çështjes së Ukrainës me Witkoff dhe Kushner gjatë bisedimeve maratonë gjatë natës.

Kremlini këmbëngul se, për të arritur një marrëveshje paqeje, Kievi duhet të tërheqë trupat e tij nga zonat lindore që Rusia i ka aneksuar ilegalisht, por që nuk i ka pushtuar plotësisht.

Dita e dytë e bisedimeve u zhvillua në një kohë kur sulmet me dronë rusë vranë një person dhe plagosën katër të tjerë në kryeqytetin Kiev, sipas kreut të Administratës Ushtarake të Qytetit të Kievit, Tymur Tkachenko. Në qytetin e dytë më të madh të Ukrainës, Kharkiv, sulmet me dronë plagosën 27 persona, tha të shtunën kreu i rajonit të Kharkivit, Oleh Syniehubov.

“Në mënyrë cinike, Putin urdhëroi një sulm brutal masiv me raketa kundër Ukrainës pikërisht në momentin kur delegacionet po takohen në Abu Dhabi për të çuar përpara procesin e paqes të udhëhequr nga Amerika,” shkroi ministri i Jashtëm ukrainas, Andrii Sybiha, në X. “Raketat e tij goditën jo vetëm njerëzit tanë, por edhe tryezën e negociatave.”

/tvklan.al