Samitit të Komunitetit Politik të Tiranës iu bashkua edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Donald Trump. Kreu i Shtëpisë së Bardhë zhvilloi një bisedë telefonike me presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky, presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministrin britanik Keir Starmer dhe kryeministrin polak, Donald Tusk, vendi i të cilit ka presidencën e radhës të BE-së. Në fokus ishin negociatat e Stambollit, ku u takuan delegacionet e Kievit dhe Moskës që nuk arritën dot vendosjen e një armëpushimi.
“Ukraina është gati të ndërmarrë hapat më të shpejtë të mundshëm për të sjellë paqe të vërtetë dhe është e rëndësishme që bota të mbajë një qëndrim të fortë. Qëndrimi ynë – nëse rusët refuzojnë një armëpushim të plotë dhe pa kushte dhe një fund të vrasjeve, duhet të pasojnë sanksione të ashpra. Presioni mbi Rusinë duhet të mbahet derisa Rusia të jetë gati të përfundojë luftën”, u shpreh presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky
Për takimin reaguan edhe Macron dhe Merz.
“Duke refuzuar një armëpushim dhe dialog me Ukrainën, Rusia po tregon se nuk dëshiron paqe dhe po përpiqet të fitojë kohë duke vazhduar luftën. Ne do të vazhdojmë të koordinohemi me partnerët tanë evropianë, me Shtetet e Bashkuara dhe koalicionin e të vullnetshmëve, për të përcaktuar një përgjigje të përbashkët”, tha Emmanuel Macron.
“Folëm përsëri së bashku me Presidentin Trump. Ne do të vazhdojmë ta ndihmojmë Ukrainën për t’i dhënë fund luftës. Ne nuk do të dorëzohemi”, deklaroi Friedrich Merz.
Një reagim në rrjetet sociale bëri edhe Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa pas takimit me Zelensky-n.
“Po vendosim sanksione të ashpra ndaj Rusisë, paketë pas pakete. Ne duam një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme për Ukrainën dhe siguri afatgjatë për të gjithë Evropën”.
Në takimin e Stambollit pati disa sinjale pozitive, edhe pse nuk u arrit një marrëveshje për armëpushim. Palët ranë dakord për shkëmbimin e 1 mijë të burgosurve ndërsa u kërkua që të ketë edhe takim Putin- Zelensky për t’i dhënë fund konfliktit.
Tv Klan