Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi të premten se, sipas informacioneve të inteligjencës, Rusia po përgatit sulme të reja ndaj infrastrukturës jetike të Ukrainës, përfshirë objektet energjetike, urat mbi lumin Dniepër dhe infrastrukturën civile.

Në fjalimin e tij të mbrëmjes, Zelensky tha se ushtria dhe forcat ajrore ukrainase po përgatiten për t’u mbrojtur nga sulmet e mundshme, por paralajmëroi se përballja nuk do të jetë e lehtë.

“Ne kemi aktualisht informacione se Rusia po përgatit sulme të reja ndaj sektorit energjetik, urave mbi Dniepër dhe infrastrukturës civile. Forcat ajrore dhe të gjitha forcat e armatosura të Ukrainës po përgatiten për mbrojtje. Nuk do të jetë e lehtë”, deklaroi ai.

Kreu i shtetit ukrainas përsëriti thirrjen drejtuar aleatëve për të përshpejtuar dërgimin e raketave për sistemet amerikane të mbrojtjes ajrore Patriot, të cilat përdoren për mbrojtjen e qyteteve ukrainase.

“Çdo ditë në afatin e dorëzimit është jashtëzakonisht e rëndësishme. U kërkojmë shumë partnerëve tanë të mos i shtyjnë dërgesat”, tha Zelensky.

Kievi dhe qytete të tjera të Ukrainës janë përballur me sulme pothuajse të pandërprera gjatë javëve të fundit. Në fund të muajit të kaluar, forcat ruse goditën edhe dy ura të rëndësishme në kryeqytetin ukrainas.

Ndërkohë, Departamenti Amerikan i Shtetit njoftoi javën e kaluar miratimin e shitjes së 500 raketave Patriot PAC-3 për Ukrainën, me vlerë rreth 2.1 miliardë dollarë. Megjithatë, dorëzimi i tyre nuk pritet të bëhet deri në fillim të viteve 2030.

/tvklan.al