Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky bëri me dije se ushtria ukrainase ka hasur sërish pengesa të konsiderueshme në shërbimin e komunikimit satelitor “Starshield” gjatë ditëve të fundit.

Zelensky deklaroi se pengesat sistematike po e kufizojnë shpejtësinë e përdorimit të “Starshield”, versioni ushtarak i shërbimit të komunikimit satelitor “Starlink” të kompanisë SpaceX.

Si pasojë e këtyre kufizimeve, mjetet interceptuese ukrainase nuk mund të arrijnë shpejtësinë e nevojshme për të rrëzuar dronët rusë me motorë reaktivë.

Zelensky njoftoi se Ukraina po përpiqet të sqarojë arsyet e këtij kufizimi me palën amerikane.

Në mesin e tetorit, zyrtarë ukrainas njoftuan se SpaceX kishte kufizuar papritur shpejtësinë e “Starlink” dhe “Starshield”, duke ndërprerë shërbimin për dronët dhe pajisjet e tjera që lëviznin me shpejtësi më të madhe se rreth 160 km/orë.

Kjo ndodhi në një periudhë tensionesh me administratën Trump, lidhur me sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse të naftës. Shërbimi u rikthye më 24 tetor.

Pengesat e reja vijnë pas përfundimit të bisedimeve dy-ditore për paqe midis Rusisë dhe Ukrainës në Abu Dabi, të ndërmjetësuara nga Shtetet e Bashkuara.

Një zyrtar ukrainas deklaroi se çështja e këtyre pengesave nuk u përmend gjatë bisedimeve dhe mbetet e paqartë se kush e ka marrë këtë vendim.

Klan News

/tvklan.al