Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky akuzon Rusinë se ka zgjeruar sulmet ndaj qendrave të të dhënave dhe ofruesve të internetit, duke shkaktuar ndërprerje të shërbimeve për rreth 100 mijë familje në Kiev dhe rajon.

Të premten, një dron rus goditi një qendër biznesi në Kiev, ku ndodhej edhe një qendër e të dhënave, duke shkaktuar katër viktima. Rusia konfirmoi goditjen, duke pretenduar se objekti përdorej nga inteligjenca ushtarake ukrainase.

Autoritetet ukrainase thonë se sulmet ndaj infrastrukturës së komunikimit mund të ndikojnë në sinjalizimet për sulmet me raketa dhe dronë, si dhe në punën dhe komunikimin e përditshëm të qytetarëve.

Ndërkohë, Rusia thotë se ka goditur disa qendra të të dhënave dhe telekomunikacionit në Ukrainë. Kompania Datagroup, një prej operatorëve të prekur, deklaroi se shërbimet vazhdojnë të funksionojnë përmes qendrave rezervë.

Në Poloni, autoritetet kanë nisur gjithashtu hetim pas një zjarri në një stacion satelitor Starlink, duke shqyrtuar dyshimet për një sulm të lidhur me shërbimet ruse. Moska nuk ka komentuar.

/tvklan.al