15 shtator 2026- Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka shprehur gatishmërinë e Kievit për të pezulluar sulmet ndaj objekteve të infrastrukturës energjetike në Rusi, duke e konsideruar një masë të tillë si një hap të mundshëm drejt uljes së tensioneve dhe nisjes së një procesi më të gjerë diplomatik.

Deklarata e Zelenskyt vjen pas thirrjes së presidentit amerikan Donald Trump, i cili i ka kërkuar Ukrainës të ndalojë sulmet e saj në distancë ndaj rafinerive dhe objekteve të tjera të energjisë në territorin rus.

Sipas Trump, këto goditje mund të ndikojnë në rritjen e çmimeve globale të energjisë.

Trump deklaroi gjithashtu se Rusia dhe Ukraina kishin rënë dakord për të mos goditur infrastrukturën energjetike të njëra-tjetrës.

Megjithatë, deri më tani, një marrëveshje e tillë nuk është konfirmuar zyrtarisht nga Moska apo Kievi.

Ndërkohë, zhvillimet në terren tregojnë se situata mbetet e paqëndrueshme. Gjatë natës janë raportuar sulme ndaj infrastrukturës energjetike në të dyja vendet.

Një rafineri nafte në Syzran të Rusisë u godit, ndërsa në Kiev u raportuan sulme ndaj dy pikave të karburantit.

Zelensky ka mbrojtur rezultatet e sulmeve ukrainase, duke theksuar se ato kanë pasur një ndikim të rëndësishëm dhe se i kanë dhënë diplomacisë një potencial më të madh.

Megjithatë, presidenti ukrainas ka nënvizuar se çdo hap drejt de-përshkallëzimit duhet të shoqërohet me garanci konkrete që Rusia do t’i përmbahet marrëveshjeve në mënyrë të qëndrueshme.

“Ukraina është e gatshme të ndërmarrë hapat e saj për de-përshkallëzim, por partnerët tanë duhet të sigurojnë që Rusia të jetë e sinqertë në zbatimin e masave të saj për depërshkallëzim sa i përket infrastrukturës sonë kritike, në mënyrë afatgjatë dhe të besueshme”, deklaroi Zelensky.

Qëndrimi i Kievit mund të hapë rrugën për një marrëveshje të kufizuar që do të ndalonte goditjet ndaj objekteve energjetike.

Një marrëveshje e tillë mund të shërbejë si pikënisje për negociata më të gjera dhe përpjekje diplomatike për t’i dhënë fund luftës.

Megjithatë, vazhdimi i sulmeve edhe pas deklaratave për një marrëveshje të mundshme tregon se një armëpushim i tillë ende nuk është vendosur në mënyrë të qëndrueshme në terren.

/tvklan.al