Presidenti ukrainas Volodymir Zelensky mbërriti në Britani të Madhe këtë të mërkurë për takime me krerët e shtetit.

Zelensky u prit me ceremoni ushtarake, në atë që mendohet të jetë hera e parë që një udhëheqës i huaj nderohet në këtë mënyrë përpara rezidencës së kryeministrit.

Pritjes i parapriu takimi me mbretin Charles i tretë, ndërsa vizita vjen në një kohë që marrëdhëniet e Kievit me Uashingtonin kanë marrë një kthesë të fortë për keq.

Më herët, kryeministri britanik kishte deklaruar se do të përpiqej të rindërtonte urat e shkatërruara mes Ukrainës dhe Shteteve të Bashkuara. Ai tha se synon të krijojë kushtet për afrimin e palëve, duke theksuar se Zelensky nuk do të largohet nga Britania pa mbështetje konkrete.

Londra pritet të njoftojë masa të reja ndëshkuese ndaj Moskës dhe përshpejtimin e dërgesave të raketave të mbrojtjes ajrore për Kievin. Britania do t’u kërkojë gjithashtu aleatëve të shtojnë presionin ndaj Rusisë.

Ndërkohë, Zelensky deklaroi se të paktën 600 mijë persona mbetën pa energji elektrike pas sulmeve ruse me raketa dhe dronë të 24 orëve të fundit.

Ai akuzoi Moskën se goditi infrastrukturën energjetike, pavarësisht pretendimeve të Trumpit për një armëpushim në këtë sektor.

/tvklan.al