Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka vendosur përfundimisht të jetë pjesë e koalicionit Bashkimi për Ndryshim te se majtës, te udhëhequr nga Partia Socialiste.

Vendimi u mor pasditen e se mërkurës ne mbledhjen e kryesisë të kësaj partie, e cila u shoqërua me debate te ashpra mes anëtarëve. Lajmin e ka bërë publik kreu i kësaj force politike, Vangjel Dule, në një konferencë për shtyp.

Vangjel Dule: “Marrëveshja është e qartë. Do të jetë para dhe pas elektoral. Nëse shoqëria shqiptare neve dhe koalicionit që ne po i bëhemi sot pjesë do t’i rezervojë rolin e opozitës. Do të jemi opozitarë të devotshëm dhe të përkushtuar. Në qoftë se do të jemi fituesit do të jemi në vijën e parë të reformave të thella”.

Sipas Dules ky vendim erdhi pas dështimit për arritjen e marrëveshjes me Partinë Demokratike, me të cilën kanë qenë në aleancë qeverise se fundi në legjislaturën 2005-2009.

Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut ka patur bashkëpunim të mëparshëm me Partinë Socialiste që nga viti 1997 deri në 2005./tvklan.al