Partia Socialiste ka zyrtarizuar emrat e kandidatëve që do të garojnë në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen në 6 bashki të vendit më 9 nëntor. Vendimi u mor në mbledhjen e Kryesisë, që u mbajt për rreth 30 minuta në selinë rozë.

Për Bashkinë e Tepelenës, socialistët do të garojnë me ish-kreun e Gardës së Republikës, Gramoz Sako.

Në Bashkinë e Matit, për socialistët do të kandidojë Altin Bojni.

Ervin Ceca do të jetë kandidati socialist për Beratin.

Florenc Doka do të kandidojë për Bashkinë e Cërrikut.

Në Vlorë, kandidate do të jetë një grua. Brunilda Mersini do të lërë mandatin e deputetes të fituar më 11 maj.

Mandatin e Brunilda Mersinit pritet ta marrë Briseida Çakerri, e renditur pas saj në garën e fundit elektorale.

Një muaj më parë, Ogerta Manastirliu u zgjodh nga kryeministri Rama si kandidate për Bashkinë e Tiranës. Vendin e saj në parlament do ta marrë Blerina Gjylameti. Me zyrtarizimin e 6 kandidatëve, socialistët fillojnë fushatën. Në krahun tjetër, Partia Demokratike ka vendosur vetëm një kandidat, atë për kryeqytetin, ku do të mbështetet aktori Florian Binaj.

Tv Klan

/tvklan.al