Në Kuvendin e Shqipërisë, i cili vijon punimet ende, ka pasur vend për debat edhe në lidhje me zgjedhjet lokale të pjesshme që do të zhvillohen të dielën e 9 nëntorit në 5 bashki.
Deputeti i Elbasanit, Blendi Himçi, akuzoi mazhorancën se kanë ndërprerë marrëdhënien e punës së kandidatit të pavarur në Bashkinë e Cërrikut, për t’i bërë atij presion.
“Jo më shumë se sa sot një vendim nga drejtoria e Shërbimit Social Shtetëror ka ndërprerë marrëdhëniet e punës për kandidatin e pavarur të Bashkisë së Cërrikut, zotin Amarildo Hoxha. Ndërkohë që ai është në fushatë dhe ndërpritet marrëdhënia për ta bërë formë presioni. Nuk ka model më të keq që gjatë fushatës t’i ndërpriten marrëdhëniet e punës kandidatit vetëm se po konkurron për kryetar bashkie. Doja një këshillë Taulantit shyqyr pas shumë vitesh kur vendoste partinë mbi Shqipërinë, sot ka kthyer mendjen dhe ka vendosur Shqipërinë mbi partinë. E kujton mirë debatin me Ben Blushin Taulanti”, tha Himçi.
Ndaj tij replikoi Taulant Balla. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste tha se dënon çdo lloj rasti të kësaj natyre. Ndër të tjera iu përgjigj Himçit se rezultati të dielën ka për të qenë 5-0 për Partinë Socialiste.
“Unë nuk e di rastin dhe dënoj çdo lloj rasti të kësaj natyre, meqenëse kandidati juaj kandidon për kryetar bashkie dhe do zgjidhet, pse keni merakun se do ngelet pa punë të hënën? A kandidon të bëhet kryetar bashkie? Dëgjoje ti Himçi. Pesë me zero dilni të dielën. Të vetmen garë që kemi ne se më dole në shteg është kush nga bashkitë do ketë rezultatin më të thellë. Pesë me zero ditën e dielë. Shihemi të hënën”, tha Balla.
/tvklan.al












Botërori 2026 
