Pas shpalljes së vakancës nga Këshilli i Ministrave, gjithë vëmendja sot është tek vendimi që do të marrë presidenti Bajram Begaj lidhur me bashkinë e Tiranës dhe pesë bashkitë e tjera: Vlorës, Tepelenës, Beratit, Matit dhe Cërrikut. Begaj ka afat 48 orë të marrë një vendim, 24 prej të cilave pothuajse kanë kaluar, megjithatë ende nuk kemi një vendimmarrje nga zyra e Presidentit për këtë çështje.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Presidenca, gazetarja Klesiana Omeri raportoi për Klan News se: Kanë kaluar thuajse 24 orë por ende nuk ka asnjë reagikm nga zyra e presidencës apo një vendimmarrje përsa i përket shpalljes së vakancës që bëri Këshilli i Ministrave për 6 bashkitë pa kryetar. Vëmendja është se çfarë vendimi do të marrë presidenti i Republikës për sa i përket Bashkisë së tiranës, në kushtet kur në gjykatën Kushtetuese Erion Veliaj ka ankimuar vendimin e Këshillit Bashkiak për ta shkarkuar atë, ndërsa Gjykata Kushtetuese e ka marrë atë në shqyrtim ndonëse ende nuk ka përcaktuar një datë.

Në këtë rast, situata është e ndërlikuar për shkak të ankimimit të bërë në Gjykatën Kushtetuese nga Erion Veliaj, i shkarkuar nga Këshilli Bashkiak, por i cili kërkon rrëzimin e vendimit. Gjykata Kushtetuese ka pranuar ankimimin, megjithëse ende nuk ka përcaktuar një datë për shqyrtimin e çështjes. Sipas nenit 115 të Kushtetutës, vendimmarrja nga Këshilli i Ministrave dhe presidenti duhet të jetë në pritje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

Gazetarja Omeri raporton se gjithsesi, presidenti Begaj do të duhet të shprehet brenda 48 orëve lidhur me kërkesën e Këshillitt ë Ministrave.

“Gjithsesi Këshilli i Ministrave e dërgoi vakancën në Presidencë dhe tashmë pritet që brenda këtyre orëve dhe presidenti përmes zyrës së tij juridike duhet të bëjë verifikimet e nevojshme nëse duhet të shprehet me dekret edhe për bashkinë e Tiranës, duke qenë se për bashkitë e tjera nuk ka ndonjë pengesë për të shpallur datën e zgjedhjeve.

Afati sipas ligjit është 48 orë për të shpallur dekretin për të shpallur një datë që sipas kodit zgjehdor afati është jo më herët se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë dhe periudha zgjedhore përfundon në datën 15 Nëntor, çka do të thotë se në rast se do të ketë zgjedhje deri në këtë datë duhet të ketë përfunduar si fushata ashtu edhe procesi zgjedhor.”, tha Omeri.

Ndërkohë sjellim ndërmend se presidenti Bajram Begaj, ka pritur mëngjesin e sotëm, të Ngarkuarën me Punë të SHBA-ve, Nancy VanHorn. Megjithatë ende nuk dihet arsyeja e takimit midis dy zyrtarëve, një takim i cili zgjati rreth 40 minuta.

Nuk ka të dhëna nëse ky takim lidhet me zgjedhjet e pjesshme, me çështje të tjera që lidhen me zhvillimet në vend, apo ishte thjesht një takim rutinë. Megjithatë vlen të përmendet fakti se ky takim, vjen një ditë pas mbylljes së qeverisë amerikane. Më herët, Ambasada e SHBA-ve në Tiranë, njoftoi se për shkak të mungesës së një marrëveshjeje për miratimin e buxhetit federal, aktivitetet e saj në rrjetet sociale do të kufizohen ndjeshëm.