Reagon Presidenca: Veprime për të mbrojtur Dvoranin

Komisioni Hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta, ka miratuar këtë të premte kërkesën për një ekspertizë më të specializuar nga Komisioni i Venecias në lidhje me plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese.

Një muaj më parë, kreu i grupit parlamentar socialist Taulant Balla kërkoi zgjerimin e objektit të këtij hetimi edhe me këtë çështje, çka u pranua nga Komisioni Hetimor.

Menjëherë pas vendimit reagoi edhe zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi. Në një postim në rrjetet sociale, ai thotë se veprimet e komisionit parlamentar janë marrë qartazi në mbrojtje të përgjegjësive penale të kreut të KED Ardian Dvorani, i cili është kallëzuar në prokurori.

“Ky “solidaritet” vërteton se krimet e z.Dvorani janë kryer në bashkëpunim. Dihet botërisht respekti që ka për Komisionin e Venecias ky grup i strukturuar dhe i specializuar për dhunimin e Kushtetutës. Ndaj veprimet e tyre fundit në shkelje të ligjit dhe Kushtetutës nuk janë asgjë tjetër veçse një presion i qartë politik ndaj organit të akuzës. Sa i përket shtyrjes së afatit të komisionit parlamentar, ne e kemi dhënë mendimin tonë: Punimet të shtyhen deri në 24 korrik 2022. Në këtë mënyrë deputetët e komisionit do kenë mundësi të përfitojnë akoma më shumë shpërblime financiare për çdo mbledhje”, shkruan Blushi.

Komisioni vendosi të shtyjë me 4 muaj mandatin e tij. Në datën 8 Dhjetor këtij komisioni i përfundonte mandati, por duke qenë se socialistët mblodhën firmat për të shtuar si objekt të tij dhe shkeljen tjetër të pretenduar prej tyre nga Presidenti për emërimin e Marsida Xhaferllarit, si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, vendosën që punimet të vazhdojnë deri në muajin Prill./tvklan.al