Të dielën e dytë të Kreshmës, më 16 Mars 2025, Sinodi i Shenjtë të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë zgjodhi me votë unanime kanonike Kryepeshkopin e ri. Mitropoliti i Korçës Imzot Joani u zgjodh Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë dhe Primat i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë.
Në Katedralen e “Ngjalljes së Krishtit”, u zhvillua ceremonia e Mesazhit të Madh. Kryepeshkopi i ri Imzot Joani lexoi Mesazhin e Madh duke konfirmuar zyrtarisht pranimin e detyrës së lartë.
Ceremonia u ndoq edhe nga besimtarë të shumtë të cilët u shprehën të lumtur nga përzgjedhja e Kryepeshkopit të ri.
Kryepeshkopi i ri Joan, me emrin e lindjes Fatmir Pelushi, është një figurë e njohur në Kishën Ortodokse Shqiptare. I diplomuar me rezultate të shkëlqyera në studimet teologjike në Boston të SHBA, ai u kthye në Shqipëri për të kontribuar përkrah Kryepeshkopit Anastas në rimëkëmbjen e Kishës së shkatërruar të Shqipërisë.
Që nga viti 1993 ka shërbyer si profesor në Akademinë Teologjike të Durrësit, përkthyes i shumë teksteve teologjike dhe autor i tekstit të parë të Dogmatikës në gjuhën shqipe. Ndrësa prej vitit 1998 ai u zgjodh Mitropoliti i Korçës.
Klan News