Prokuroria e Durrësit ka shpallur moskompetencën sot më 19 nëntor për çështjen e zhdukjes së 700 mijë eurove në Postën e Durrësit dhe ka kërkuar kalimin e dosjes në SPAK.
Vendimin përfundimtar do ta marrë Gjykata e Durrësit, ku seanca pritet të zhvillohet ditën e nesërme. Gjatë saj, prokuroria do të paraqesë argumentet dhe provat mbi të cilat mbështet kërkesën për transferimin e çështjes në Prokurorinë e Posaçme.
Gazetarja Glidona Daci raportoi për Klan News se hetimet kanë zgjeruar rrethin e personave të dyshuar dhe se Prokuroria e Durrësit ka konstatuar element, që e bëjnë çështjen, të jetë kompetencë e SPAK-ut. Një prej arsyeve është dyshimi për përfshirjen e personave me imunitet parlamentar. Hetimet kanë përfshirë edhe ish-drejtoreshën e Postës së Durrësit, Etleva Budini, e cila aktualisht është deputete dhe, për shkak të statusit të saj, nuk është subjekt i Prokurorisë së Durrësit, por i Prokurorisë së Posaçme.
Një tjetër element që ka çuar në kërkesën për kalimin e dosjes në SPAK është akuza e grupit të strukturuar kriminal. Sipas dyshimeve të organit të akuzës, personat e përfshirë në vjedhjen e shumës së konsiderueshme të parave kanë vepruar në bashkëpunim dhe në formën e një grupi të strukturuar kriminal, vepër penale që gjithashtu hyn në kompetencën e Prokurorisë së Posaçme.
Nëse Gjykata e Durrësit pranon shpalljen e moskompetencës, dosja do të kalojë në SPAK, i cili brenda afatit 10-ditor do të verifikojë edhe masat e sigurisë për personat e dyshuar.
Bëhet fjalë për ish-drejtoreshën e Postës së Durrësit, Elizabeta Mataj, ish-shefen e Financave, Valbona Duni, dhe arkëtaren Paula Dana, të cilat dyshohen për përfshirje në abuzimet dhe vjedhjen e parave.
Pritet tashmë qëndrimi i SPAK-ut për hetimin e kësaj çështjeje dhe nëse deputetja Etleva Budini do të thirret për t’u marrë në pyetje nga Prokuroria e Posaçme.
/tvklan.al












Botërori 2026 