Antoneta Frroku është një nga 10 guidat e para turistike të para të certifikuara në Lezhë. Ajo tregon për Klan News se shërbimin në sektorin e turizmit e ka pasion.

Antoneta Frroku, guidë: Unë kam mbaruar studimet në Fakultetin e Ekonomisë dega Turizëm në Shkodër, ndërsa masterin Menaxhim Turizëm dhe Trashëgimi Kulturore, që do të thotë se ky është profesioni që kam dashur, e dua dhe e kam pritur prej kohësh që ta bëjë këtë certifikatë. Është një punë që e bëj me shumë pasion.

Lezha ka një sërë destinacionesh turistike disa prej tyre jo shumë të njohura nga turistë të huaj. Ndaj ajo thotë se certifikimi i guidave të para turistike është me rëndësi për qytetin.

Antoneta Frroku, guidë: Ne jemi të parët që jemi certifikuar dhe prezantimi i qytetit tonë ka shumë rëndësi duke qenë se ka shumë asete, siç është Memoriali, kalaja, plazhi edhe shumë asete të tjera turistike, historike dhe arkeologjike që mund të prezantohen, duke qenë se deri më sot thjesht kanë patur vetëm vizitorë dhe jo turistë të mirëfilltë.

Ajo kërkon edhe ndihmën e pushtetit vendor për ta rritur edhe më shumë turizmin në Lezhë.

Antoneta Frroku, guidë: Duhet të ofrohen sa më shumë informacione, çdo informacion që kërkon një udhërrëfyes, duhet që të ofrojë më shumë lehtësira. Po ashtu edhe për sa i përket infrastrukturës që vizitorët kur të vijnë duhet të kenë infrastrukturën e duhur që të vizitojnë këto asete.

Antoneta ka edhe një mesazh për të rinjtë.

Antoneta Frroku, guidë: E mira është që ta marrin shembull edhe të tjerët, turistët që mbarojnë Turizëm, Histori-Gjeografi dhe Gjuhët e Huaja, është një profesion i mirë që mund ta bësh në çdo kohë dhe në çdo moment, për mendimin tim kontakti dhe komunikimi me njerëzit të bën të jesh akoma edhe më i apasionuar pas kësaj pune.

10 guidat e para në Lezhë u licencuan nga bashkia javën e kaluar. Qëllimi është për ti dhënë një tjetër hov turizmit në këtë bashki.

Klan News