Një epokë e re nis në përfaqësuesen e Francës. Zinedine Zidane ka publikuar listën e tij të parë me lojtarët që do të grumbullojë për ndeshjet e Ligës së Kombeve. Por, përtej emrave që do të thirren, ndryshimi do të ndihet edhe në mënyrën se si kombëtarja do të komunikojë me median.

Zidane sjell rregulla të reja, duke u shkëputur nga modeli i ndjekur për 14 vite nga Didier Deschamps. Konferenca e parë për shtyp nuk do të jetë më një spektakël televiziv. Kamerat e televizioneve nuk do të lejohen brenda ambienteve të Federatës Franceze të Futbollit.

Pamjet do të transmetohen vetëm përmes kanaleve zyrtare të federatës. Por ndryshimi më i dukshëm do të jetë në Clairefontaine.

Për vite me radhë, mbërritja e futbollistëve në qendrën stërvitore të Francës ishte kthyer në një event më vete. Kamerat prisnin lojtarët jashtë rezidencës dhe çdo detaj i paraqitjes së tyre përfundonte në ekranet dhe portalet franceze.

Dhe, natyrisht, vëmendjen nuk e merrnin vetëm yjet e futbollit. Veshjet e lojtarëve ishin kthyer në një histori më vete. Kostume, atlete, çanta, xhaketa, kombinime ngjyrash dhe marka luksoze, çdo mbërritje në grumbullim shndërrohej në një lloj “parade mode” të kombëtares.

Me Zidane, kjo skenë duket se merr fund. Federata nuk do të lejojë më praninë e madhe të mediave në hyrje të qendrës stërvitore. Në vend të pamjeve të drejtpërdrejta dhe fotografive të shumta të lojtarëve, publiku do të marrë materialin zyrtar të prodhuar nga federata.

Një mënyrë për të reduktuar zhurmën mediatike dhe për t’i mbajtur lojtarët larg presionit të kamerave që i shoqëronte që në momentin e mbërritjes.

Megjithatë, Zidane nuk po e mbyll plotësisht derën për gazetarët. Në ditët e para të grumbullimit mund të ketë intervista në zonën miks me futbollistët, një format që do të sillte më shumë kontakt të drejtpërdrejtë me lojtarët sesa gjatë periudhës së Deschamps.

Por vetë Zidane nuk do të japë intervista ekskluzive gjatë kësaj kohe. Në total, nga prezantimi i listës më 18 shtator deri te ndeshja me Belgjikën më 5 tetor në “Stade de France”, trajneri i ri pritet të dalë përpara gazetarëve deri në tetë herë.

Mjaftueshëm për të shpjeguar idetë e tij, zgjedhjet e para dhe filozofinë me të cilën dëshiron të nisë këtë kapitull të ri.

Klan News

/tvklan.al