Një zjarr i madh ka përfshirë pasditen e kësaj të enjteje një nga zonat më të njohura turistike të Greqisë, Halkidikinë, duke detyruar autoritetet të evakuojnë mijëra banorë dhe pushues.

Nxjerrja e njerëzve nga zona e rrezikut u bë me autobusë nga toka dhe anije të Rojës Bregdetare e private nga deti.

Janë tre qyteza të evakuuara, ndërsa autoritetet kanë lëshuar disa alarme rreziku radhazi.

Greqia është një nga vendet më të goditura nga zjarret në Europë këtë vit, pas Spanjës dhe Francës.

Të dhënat tregojnë se viti 2026 është një nga më kritikët për Europën sa i përket zjarreve masive, ku deri në fillim të gushtit janë djegur afër 500 mijë hektarë tokë.

Spanja është goditur më së shumti, duke përbërë 38% të sipërfaqes së djegur në BE, ndërsa për Francën ky është viti më i keq që nga viti 2012.

Si pasojë e flakëve agresive, vetëm në Francë dhe Spanjë pati mbi 320 mijë të evakuuar deri në fund të korrikut, banorë dhe turistë, ndërsa mijëra zjarrfikës e forca ushtarake u angazhuan në terren për të frenuar përhapjen.

Alarmi nuk kufizohet më vetëm në vendet e Mesdheut. Vala e të nxehtit ekstrem ka prekur edhe Mbretërinë e Bashkuar, Gjermaninë e Danimarkën, ku sipërfaqet e djegura kanë tejkaluar dyfishin e mesatares shumëvjeçare. Ekspertët paralajmërojnë se faturat e dëmeve do të arrijnë në miliarda euro.

Tv Klan

/tvklan.al