Zjarrfikësit në Francë dhe Spanjë janë në luftë me kohën për të shuar flakët monstruoze që kanë djegur mijëra hektarë tokë, ndërsa dy vendet përgatiten për të nxehtin ekstrem.

Situata ka qenë më e qetë në dy ditët e fundit, por autoritetet i frikësohen temperaturave të larta që pritet të arrijnë mbi 40 gradë Celsius.

Zjarri në rajonin e Zhirond në Francë ende nuk është shuar dhe në 14 zona të prekura nga flakët, ka pasur vatra të reja, sipas prefektes rajonale.

Zjarri në zonën e Land në perëndim të Bordo, një destinacion i njohur turistik, ka shkatërruar 42,000 hektarë kryesisht pyje pishe.

Presidenti Emmanuel Macron e quajti krizën e zjarreve në pyje ndoshta më të rëndën me të cilën është përballur vendi që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ekipet e zjarrfikësve me mbështetjen evropiane kanë arritur t’i vënë nën kontroll flakët. Megjithatë, një valë tjetër e të nxehtit, e katërta deri më tani këtë verë, pritet t’i bëjë kushtet më të paqëndrueshme.

Temperaturat në zonë pritet të arrijnë kulmin në 42 gradë Celsius, sipas Meteo-France, ndërsa erërat ka të ngjarë të nxisin flakët.

Në Spanjë, autoritetet lejuan shumicën e njerëzve në provincën qendrore të Toledos të ktheheshin në shtëpitë e tyre, duke hequr gjendjen e jashtëzakonshme.

“Po fillojmë të shohim dritë në fundin e tunelit në luftën kundër këtyre zjarreve”, u tha Kryeministri Pedro Sanchez gazetarëve.

Rreth 60,000 njerëz u detyruan të largoheshin nga shtëpitë në Spanjë, ndërsa zjarret kanë shkatërruar 77,000 hektarë, në një zonë pothuajse sa madhësia e qytetit të Nju Jorkut.

Komisionerja e Bashkimit Europian për menaxhimin e krizave, Hadja Lahbib, tha për Reuters se reagimi i unionit ndaj zjarreve ka nevojë për më shumë fonde, fokus më të madh në menaxhimin e pyjeve dhe edukim të shtuar në lidhje me rrezikun e zjarreve, ndërsa klima ndryshon,

Lahbib tha se nuk mjaftonte vetëm blerja e më shumë pajisjeve zjarrfikëse, por shtetet duhet t’i edukojnë më mirë qytetarët se cilat sjellje duhet të shmangin për të zvogëluar rrezikun e zjarreve.

/tvklan.al