Prej së mërkurës ka nisur operacioni me anë të avionëve të ushtrisë rumune që kanë ardhur për të ndihmuar për shuarjen e zjarreve. Pikërisht operacioni i ekipit rumun vjen si pjesë e mbështetjes nga Mekanizmi Evropian i Mbrojtjes Civile do të realizojë ndërhyrjen pikërisht në zonën ku konsiderohet më problematike, në atë të Malit të Thatë në Pustec.

Dy avionët ushtarakë janë njëri model C-27J Spartan, që do të angazhohet në operacionet e fikjes së zjarreve dhe, tjetri, C-130 Hercules, i cili ofron mbështetje logjistike për C-27J, ndërsa kapaciteti është 6 ton ujë për çdo fluturim.

Pas 9 ditësh të një zjarri intensiv, bilanci paraprak i dëmeve llogaritet në mbi 300 hektarë pyje të djegura në Malin e Thatë.

Një tjetër park kombëtar, ai i malit të Tomorrit është mundur të shpëtohet pas një zjarri që vijoi për 3 ditë. Zyrtarët lokalë konfirmuan se flakët dëmtuan ose shkrumbuan rreth 15 hektarë me kullota e dru pishe. Aktualisht po punohet për mbajtjen e flakëve nën kontroll.

Po në qarkun e Beratit, një zjarr i fuqishëm shpërtheu në bashkinë e Dimalit duke shkaktuar dëme të konsiderueshme në një plantacion rreth 2 hektarë të mbjellë me ullinj. Pas rreth 5 orësh u bë e mundur shuarja e flakëve që ndihmoheshin edhe nga era e fortë në zonë. 

Dy persona të tjerë u ndaluan për zjarrvënie të qëllimshme në 24 orët e fundit. Një 68-vjeçar në Burrel po hetohet për një zjarr që dogji 2 hektarë me bimësi ndërsa një 64-vjeçar dogji qëllimisht një sipërfaqe me dru frutorë.

Tv Klan