Spanja po përballet me zjarrin më të madh të regjistruar këtë vit.
Në rajonin Guadalajara, flakët kanë përfshirë mbi 32 mijë hektarë tokë dhe kanë detyruar evakuimin e më shumë se 1 mijë e 200 banorëve.
Helikopterë dhe avionë zjarrfikës vijojnë të hedhin ujë mbi zonat e prekura, ndërsa qindra efektivë të shërbimeve të emergjencës po luftojnë për të vënë situatën nën kontroll.
Gjatë vizitës në qendrën e komandës së operacionit, kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez bëri thirrje për një marrëveshje të gjerë shtetërore për përballimin e emergjencës klimatike.
“Spanja ka nevojë për një marrëveshje të gjerë shtetërore për emergjencën klimatike. Nuk mund të mendojmë për zjarret vetëm kur ato ndodhin, duhet të veprojmë paraprakisht. Duhet të rrisim ndërgjegjësimin dhe të mos i minimizojmë pasojat e krizës klimatike. Kjo nuk është çështje politike apo ideologjike, por çështje shkence. Faktet janë të qarta, valë të nxehti me temperatura mbi 40 gradë Celsius, si ato që po përjetojmë sot në shumë rajone të Spanjës”, tha Sanchez.
Sanchez tha gjithashtu se numri i zjarreve të mëdha në vend është 4 herë më i lartë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në Francën jugore, një zjarr i madh që shpërtheu në zonën Var dogji rreth 2 mijë e 500 hektarë bimësi në zonën e Cotignac.
Rreth 800 zjarrfikës u angazhuan në terren, ndërsa 300 deri në 400 banorë u evakuuan nga komunitetet përreth.
Autoritetet thanë se banorët nuk janë lejuar ende të kthehen në shtëpitë e tyre për shkak të vatrave aktive dhe rrezikut të riaktivizimit të flakëve.
Edhe në Itali situata mbetet shqetësuese. Në Sicili u raportuan mbi 100 ndërhyrje të zjarrfikësve, Mbrojtjes Civile dhe shërbimeve pyjore.
Sipas ekspertëve, kombinimi i temperaturave ekstreme, thatësirës dhe erërave të forta po e bën sezonin e zjarreve në Evropën Jugore gjithnjë e më shkatërrues.
Klan News
/tvklan.al












Botërori 2026 
