Është drejt normalizimit situata me zjarret në Bardhaj dhe Myselim të Shkodrës. Vatrat, sipas kryebashkiakut të Shkodrës, janë vënë nën kontroll dhe aktualisht nuk rrezikohen banesat.

Në terren janë angazhuar zjarrfikësit, Shërbimi Pyjor, Emergjencat Civile, vullnetarë, si dhe forca ushtarake.

Operacioni u mbështet nga ajri me dy helikopterë, të cilët ndërhynë mbi vatrat më problematike, duke ndihmuar në izolimin e flakëve dhe frenimin e përhapjes së tyre më tej.

Zona vijon të mbahet nën monitorim për të shmangur çdo riaktivizim të mundshëm. Ndërsa flakët që u përhapën në një sipërfaqe kodrinore në fshatin Bardhaj kanë shkaktuar edhe dëme.

Ndërkohë, një sipërfaqe e konsiderueshme me pisha, ullishte e shkurre është përfshirë nga flakët mesditën e sotme në Çërrilë të Mallakastrës. Në vendngjarje ndodhen mjetet zjarrfikëse të Mallakastrës, efektivë të policisë dhe banorë që i janë bashkuar operacionit për neutralizimin e flakëve. Ndërhyrja në terrenin e thyer është e vështirë, ndërkohë që zjarri ndodhet larg zonës së banuar.

Pasditen e sotme, 4 vatra aktive zjarri janë shfaqur edhe në pyllin e Semanit, pranë grykëderdhjes së lumit. Flakët po përhapen nga era e fortë, ndërkohë që shërbimet zjarrfikëse të Fierit po punojnë për izolimin e tyre.

Problematike vijon të mbetet situata gjithashtu në malin e Dajtit. Krahas strukturave bashkiake, sot janë angazhuar në terren të thyer 77 forca ushtarake dhe 1 helikopter.

Ndërkohë, operacioni në Himarë është përmbyllur me fikjen e plotë të zjarrit.

Ministria e Mbrojtjes informon se gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 32 vatra zjarri, nga të cilat 11 mbeten aktive, 5 janë nën mbikëqyrje dhe 16 janë fikur. Angazhimi kryesor është përqendruar në vatrat më problematike.

Tv Klan

/tvklan.al