Flakët vazhdojnë edhe sot në 13 gusht në lagjen Abaze të Krujës.

Në pamjet e publikuara nga Ministria e Mbrojtjes, zjarri duket teksa ka ‘pushtuar’ këtë lagje të qytetit. Efektivë dhe shërbime zjarrfikëse kanë punuar gjatë gjithë natës, teksa situata paraqitet problematike.

Ministri i Mbrojtjes Ermal Nufi, përmes një postimi në rrjetet sociale shprehet se efektivët janë në shërbim të qytetarëve. Ai deklaron se po bëhet çdo gjë, që të sigurohet jeta e njerëzve.

“Në kushtet e një situate jo të lehtë në lagjen Abaze në Krujë, Forcat tona të Armatosura janë në këta momente në terren në mbështetje të operacionit në përballimin e flakëve dhe mbrojtjen e banorëve dhe pronës.

Efektivët po punojnë krah për krah me strukturat e tjera të emergjencave, për të frenuar përhapjen e zjarrit dhe për të mbajtur nën kontroll situatën.

Në çdo situatë në shërbim të qytetarëve dhe të sigurisë së tyre, si ne Krujë, si në Lurë, Mallakastër, Vaun e Dejës, Mirditë, si edhe në Priskë/Daias/Farkë, ku falë ndërhyrjes së të gjithë efektivëve zjarrfikës të strukturave vendore dhe atyre të Forcave të Armatosura kemi në shkallë kombëtare një situatë që po menaxhohet, pa rrezik për jetën dhe banesat e qytetarëve”, shprehet ministri Nufi.

/tvklan.al