Vatra të vogla zjarri, shtellunga të mëdha tymi dhe dhjetra dyqane të djegura, kjo ishte pamja që ofronte tregu i veshjeve këtu në zonën e 5 Majit, i cili mbrëmjen e djeshme u përfshi nga një zjarr masiv.
Operacionet e forcave zjarrfikëse për të arritur në vatrat e vogla në ambientet e brendshme të kapanoneve vunë nën kontroll të gjithë zjarrin.
Këto pamje të kapura nga një kamerë sigurie tregojnë momentin kur ka nisur zjarri në qendër të kapanoneve, në hyrjen kryesore.
Gjithçka ndodh shpejt dhe më pas vihet re një shpërthim i vogël që përhap flakët. Edhe pse shkaku i zjarrit nuk është përcaktuar ende, hetuesit dyshojnë te një shkëndijë elektrike.
Dëmet janë kolosale. Pronarët e dyqaneve flasin për djegje të mallrave që shkojnë miliona lekë.
“Unë kam pas dyqanin më të vogël këtu. Më tepër se 200 milionë lekë. Jemi në qiell të hapur. Kemi shkuar te sigurimet dhe nuk na i siguruan. Me këtë lloj materiali nuk bëhej sigurim.”
“Shumë dëme, unë jam një nga më të dëmtuarat.”
Ngjarja nxehu gjakrat. Në orët e paradites një nga tregtarët u konfliktua me përgjegjësin e tregut për përgjegjësinë mbi zjarrin dhe më pas u shoqërua nga policia.
Zjarri masiv ra mbrëmjen e të enjtes dhe zgjati për disa orë me radhë me të njëjtin intensitet, duke shkrumbuar çdo gjë. Në ndihmë të zjarrfikësve u angazhuan edhe forca të ushtrisë.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 