E gjithë zona përgjatë rrugës së “Dibrës” deri te Shkolla e Bashkuar, përveçse do të kenë një rrugë të re dhe të pajisur me të gjitha standardet e kërkuara, do të ketë dhe një rrjet të ri të kanalizimeve, çka do të shmang në të ardhmen përmbytjet dhe çdo problematik të tjetër që mbart rrjeti aktual.

Paralelisht me investimin që po zhvillohet për ndërtimin e rrugës së re tek “Shkolla e Bashkuar”, Bashkia e Tiranës dhe UKT po bëjnë edhe rikonstruksionin e plotë të rrjetit të kanalizimeve.

 Nëpërmjet një postimi në faqen e saj në facebook, UKT bën të ditur se ky rrjet përshkon gjithë rrugën e “Dibrës” dhe do ti shërbejë gjithë zonës deri në qendrën e Tiranës. UKT thekson se investimi në këtë aks ishte bërë i domosdoshëm për shkak të amortizimit ekstrem të rrjetit ekzistues si rrjedhojë e investimeve të munguara prej vitesh, por edhe nga ndërtimet e shumta dhe pa kritere të ndodhura në zonë, që kanë dëmtuar sistemin, duke prishur tubacionet, mbushur kanalet, kolektorët dhe pusetat me material inerte dhe mbeturina.

 Ndërkohë që për të evituar ndotjen që mund të vijë si pasojë e problematikës së rrjetit të kanalizimeve, UKT bënë të ditur se grupet e punës po punojnë ritme të shpejta për të shmangur çdo problem të mundshëm. “Rikonstruksioni i linjës së kanalizimeve bashkë me kolektorët e shiut, që bëjnë më pas shkarkimin e tij nëpërmjet sistemit, në lumin e Tiranës, do të sjellë një përmirësim të situatës, duke eliminuar daljen e ujërave në sipërfaqe në kohën e reshjeve, por edhe depërtimin e ujërave nëntokësore në kanalet e sistemeve hidroteknike”, thuhet në postimin e UKT-së.

 UKT kërkon mirëkuptimin e banorëve për çdo problematikë të shfaqur si rrjedhojë e punimeve, ndërsa bënë të ditur se po punohet intensivisht që ky investim të përfundojë sa më shpejt.