Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha e quajti një akt të shëmtuar dhunimin e një qytetari në protestën e së shtunës në Zvërnec të Vlorës.
“Ai ishte rrëmbim, në duart e policisë, dhe e dënoj atë si një akt të shëmtuar të policisë së shtetit”, u shpreh Berisha.
Kryedemokrati thotë se nuk ka dijeni për projektin që pritet të zbatohet aty, por theksoi se partia që ai drejton mbështet investimet e huaja.
“Partia Demokratike është parti që mbështet fuqimisht investimet e huaja. Dhe kjo parti në pushtet, ja këtë tani ju kërkoj ta mbani shënim, ka patur një ligj. Një ligj i cili zgjidhte në mënyrë të plotë dhe totale çështjen e pronësisë”, tha kreu i PD.
Berisha tha se shteti duhet të garantojë investimet e huaja.
“Në qoftë se ke firmos, je kryeministër dhe ke firmos, atëherë ti mban përgjegjësi për të gjithë pasojat e firmës tënde. Kjo është e vërteta. Dhe, nuk besoj se ka interes më të mbrapshtë për shqiptarët sesa përpjekja për të përzënë investitorë të huaj”, theksoi Berisha.
Deklaratat Berisha i bëri pas paraqitjes në SPAK ku shigjetoi sërish mediat për censurë të opozitës
“Tani po flet dhe kryemashtruesi i kombit. Shikoni diagnozën. Po të doni hapni pak celularët dhe shihni. Nga 12 media, 11 transmetojnë vetëm mashtrimet e tij dhe censurojnë Sali Berishën”, shtoi kryedemokrati.
Ndërsa më pas në një konferencë për mediat nga selia blu, Berisha analizoi zgjedhjet për Këshillin e ri Kombetar të PD-së që tashmë sipas tij ka 30% të rinj dhe 40% gra.
“Ftoj çdonjërin prej tyre që ka dyshimin më të vogël në procesin më transparent të numërimit të votave, i cili është bërë në prani të medieve dhe i hapur, t’i adresohet komisionit për të numëruar çdo votë të hedhur për të nga delegatët e Kuvendit Kombëtar”, tha Berisha.
Berisha tha se Kuvendi kombëtar i së shtunës votoi për ripërtëritjen e PD-së.
/tvklan.al












Botërori 2026 