Investimi në Zvërnec është kthyer në temë bisede edhe në Forumin Botëror “Future Investment Initiative”, të zhvilluar në Romë, ku kryeministri Edi Rama ishte pjesë e panelit. Gazetarja e CNN, Eleni Giokos, gjatë intervistimit të kryeministrit shqiptar e ka fokusuar aty bisedën.
Rama i ka qëndruar deklaratave të tij të mëparshme, ku ka theksuar se vetëm hija pas Kushner e Trump mjafton për të provokuar zemërimin digjital, pa harruar edhe Iranin që, sipas tij, ka zhvilluar një fushatë dezinformimi për protestën.
“Indinjata digjitale sigurisht që është provokuar më së shumti edhe për shkak të faktit që janë Kushner e Trump, e gjithë hijet pas janë mëse të mjaftueshme që mund t’i bëjnë shumë njerëz nga të gjitha anët, nga të gjitha kontinentet e vendet, të hidhen menjëherë. Por sasia e gënjeshtrave, e videove të rreme, e videove të marra nga protesta në vende të ndryshme dhe të shfaqura si video të protestave në Shqipëri, numri i BOT-ve të angazhuar dhe të përfshirë te armiku, sepse ne kemi një armik, kemi një armik të vetëm që është Republika Khomeiniste e Iranit, dhe ata kanë qysh prej tre vitesh të angazhuar në një sulm të pamëshirshëm kibernetik kundër Shqipërisë dhe kanë hyrë gjithashtu në këtë lojë”.
Pyetja e gazetares së CNN për blerjen e tokës në Zvërnec nga investitorët mori si përgjigje batutën e Ramës për prejardhjen e saj greke.
“Tani më kujton që je nga CNN dhe më vjen keq ta them, por e kam mësuar në mënyrën e vështirë se ju nuk jeni një burim objektiv. Por fakti që je greke më bën të ndihem i detyruar të mos shkoj aty. Po, toka është blerë nga investitorët. Po, është tokë private. Po, është duke u zhvilluar një vlerësim i ndikimit në mjedis. Po, ende nuk është miratuar asnjë projekt. Po, ende nuk është dhënë asnjë leje ndërtimi”.
Sipas kryeministrit, protesta përfaqëson një pakicë, pasi shumica e popullit shqiptar e mbështet projektin e Zvërnecit.
“Kam një lajm për ju: shumica e popullit shqiptar e mbështet projektin. Zona ku do të zhvillohet projekti është një qytet që në shumicë dërrmuese e pret me padurim atë. Nuk ka protesta. Komuniteti ku do të zhvillohet projekti e dëshiron projektin. Pra ajo që shihni nuk është saktësisht ajo që po ndodh”.
Kryeministri Rama e ftoi CNN që të vizitojë vendin tonë kur të realizohet investimi.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 