Koreja e Veriut ka shpallur person “non grata” drejtuesin e zyrës diplomatike të Zvicrës në Phenian, Sylvain Astier, dhe i ka kërkuar të largohet nga vendi brenda 48 orëve. Vendimi vjen pas një përplasjeje mes dy vendeve për shkak të sanksioneve të vendosura nga Berna ndaj Koresë së Veriut, më pak se një muaj pas rihapjes së zyrës diplomatike zvicerane në kryeqytetin korean.

Sipas një deklarate të Ministrisë së Jashtme të Koresë së Veriut, të publikuar nga agjencia shtetërore KCNA, masa është marrë në përgjigje të vendimit të Zvicrës për të përfshirë në listën e sanksioneve kampin ndërkombëtar të fëmijëve Songdowon. Pheniani e ka cilësuar këtë veprim si një akt haptazi armiqësor ndaj vendit.

Ministria e Jashtme thirri diplomatin zviceran dhe i dorëzoi një memorandum, përmes të cilit i kërkoi mbylljen e zyrës diplomatike. Në deklaratën zyrtare, autoritetet koreano-veriore paralajmëruan se nuk do të pranojnë asnjë veprim që, sipas tyre, cenon sovranitetin e vendit dhe interesat e qytetarëve të tij.

Vendimi për dëbimin e diplomatit vjen më pak se një muaj pasi ministri i Jashtëm zviceran, Ignazio Cassis, mori pjesë në rihapjen zyrtare të zyrës diplomatike në Phenian.

Përplasja lidhet me sanksionet që Zvicra vendosi ndaj kampit Songdowon, pas pretendimeve të vendeve perëndimore se ai ishte përfshirë në transferimin e fëmijëve nga territoret e Ukrainës të pushtuara nga Rusia. Koreja e Veriut i ka kundërshtuar këto masa, duke argumentuar se ato cenojnë të drejtën e saj për t’u ofruar fëmijëve mundësi edukimi, kulture dhe argëtimi.

Kim Yo Jong, motra me ndikim e liderit Kim Jong Un, i cilësoi sanksionet si shkelje të sovranitetit të vendit. Ndërkohë, Ministria e Jashtme zvicerane deklaroi se politika e saj e sanksioneve është e pavarur nga vendimi për rihapjen e zyrës diplomatike në Phenian.

Sipas autoriteteve zvicerane, prania diplomatike në Korenë e Veriut synon të mbajë të hapura kanalet e komunikimit, edhe me shtetet me të cilat Zvicra ka mosmarrëveshje për çështje të caktuara.

Profesori Lim Eul-chul nga Universiteti Kyungnam në Korenë e Jugut vlerësoi se Pheniani po e përdor Zvicrën si një rast për të treguar se nuk e konsideron të mundur bashkëjetesën mes dialogut diplomatik dhe sanksioneve. Sipas tij, dëbimi i diplomatit është gjithashtu një mesazh paralajmërues për SHBA-në dhe vendet e tjera që synojnë të rifillojnë kontaktet me Korenë e Veriut.

Ndërkohë, vetëm pak ditë më parë, Kim Jong Un priti personalisht letrat kredenciale të ambasadorëve të rinj nga 10 vende, mes tyre Rusia dhe Suedia. Gjatë ceremonisë, ai deklaroi se Koreja e Veriut kërkon të zgjerojë marrëdhëniet me shtetet që respektojnë sovranitetin e saj, por do të kundërshtojë çdo përpjekje për të kufizuar të drejtat dhe zhvillimin e vendeve sovrane.

/tvklan.al