Koordinatori për Anti-Korrupsionin Global në Departamentin amerikan të Shtetit, Richard Nephew thotë se Shqipëria ka bërë progres në luftën kundër korrupsionit. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zyrtari i DASH thotë se institucionet në Shqipëri kanë ende shumë punë për të bërë për luftën kundër korrupsionit, ndërsa thekson dhe mbështetjen e SHBA.

Richard Nephew, koordinatori për anti-Korrupsionin në DASH: Realiteti është që lufta kundër korrupsionit është afatgjatë. Kërkon shumë përpjekje këmbëngulëse. Sigurisht kërkon edhe përpjekje këmbëngulëse ku të duhet gjithmonë të shohësh mënyrat për t’u angazhuar në reforma, në zgjidhjet që mund të gjenden dhe të sigurosh që organet që janë ngarkuar për ta siguruar luftën kundër korrupsionit me sukses ta kenë aftësinë për ta bërë këtë. Kështu që mendoj se sigurisht ka patur përparim, por ka mjaft më shumë që mund të bëhet dhe ne jemi këtu për ta mbështetur Shqipërinë në këtë përpjekje.

Nephew vlerësoi punën e SPAK kundër korrupsionit, teksa kërkon që në betejën kundër korrupsionit të përfshihet qeveria dhe të gjitha institucionet.

Richard Nephew, koordinatori për anti-Korrupsionin në DASH: Mendoj se SPAK po bën punë të shkëlqyer. Dhe sigurisht që i shohim të gjitha përpjekjet e mira që po bëhen dhe po bëjmë edhe ne përpjekjet më të mira për ta mbështetur SPAK dhe gjithçka që ai bën, por nuk mund të jetë gjithçka në shtysën kundër korrupsionit në Shqipëri. Për të pasur sukses në luftën kundër korrupsionit, kërkohen përpjekjet e të gjithë shoqërisë dhe të gjithë qeverisjes. Prandaj mendoj se është me vend, që të gjenden mënyra të reja që të gjitha institucionet e ndryshme të qeverisë si dhe organizatat e shoqërisë civile të kontribuojnë për këto përpjekje për të ndarë ide dhe për të punuar bashkë teksa e bëjnë këtë.

Nw njw kohw qw mazhoranca vijon punën pa opozitën  në komisionin anti-korrupsion, zyrtari i DASH kërkon që çdo lloj nisme që përmirëson veprimtaritë gjyqësore të jenë gjithëpërfshirëse.

Richard Nephew, koordinatori për anti-Korrupsionin në DASH: Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë ta mbështesin Shqipërinë në përpjekjet e saj për të përmirësuar dhe punuar me veprimtaritë gjyqësore që ekzistojnë dhe për të siguruar që ato organe që ekzistojnë tashmë të jenë sa më të efektshme. Pikëpamja jonë është se çfarëdo lloj mekanizmi reforme, çfarëdo lloj legjislacioni që paraqitet ka nevojë të jetë gjithëpërfshirës dhe ka nevojë të marrë parasysh aktorët e ndryshëm që ekzistojnë në vend, sidomos organizatat e shoqërisë civile dhe të tjerë. Mendoj edhe që duam të sigurojmë që çfarëdo reformash shtesë që bëhen, të vazhdojnë të ruajnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që prokurorët të vazhdojnë të çojnë çështjet përpara, që të mund ta kryejnë punën e tyre në mënyrë sa më të pavarur dhe të bazohen në fakte.

Koordinatori për anti-Korrupsionin Global në Departamentin amerikan të Shtetit thotë se të gjitha institucionet në vendin tonë duhet të jenë në funksion të plotë kundër korrupsionit, si dhe të përmirësohen hallkat ku mund të konstatohen probleme.

Klan News