Ky është Hamza bin Laden, djali i terroristit më të madh në histori, Osama bin Laden. Për këdo që jep të dhëna për vendndodhjen e tij, Uashingtoni ka vendosur një shpërblim prej 1 milionë dollarësh, siç thuhet në këtë njoftim për shtyp të strukturave kundër terrorizmit të Departamentit Amerikan të Shtetit.

Dyshime ka se ai ka nisur riorganizimin e Al-Kaedës, organizatës përgjegjëse për vrasjen e mijëra njerëzve të pafajshëm në sulme terroriste në mbarë botën. Më i rëndi, ai i kullave binjake në New York, më 11 Shtator të 2001, ku humbën jetën mbi 3 mijë persona. Vitet e fundit ai ka lëshuar dhjetëra mesazhe audio ku u bën thirrje mbështetësve të sulmojnë në çfarëdo mënyre që munden Shtetet e Bashkuara dhe aleatët perëndimorë, si hakmarrje për vrasjen e të atit.

Hamza bin Laden mendohet të jetë 30-vjeç dhe është i martuar me të bijën e Mohamet Atasë, njeriut që mori peng një nga avionët e përdorur për sulmet në New York. Dyshohet se fshihet në zonat kufitare mes Afganistanit dhe Pakistanit. Osama bin Laden e kishte atë të birin e preferuar mes 26 fëmijëve, të cilin e ka përgatitur për të qenë në krye të organizatës terroriste, siç shkruante vetë udhëheqësi terrorist në një letër të lënë në shtëpinë e tij në Abotabad të Pakistanit, para vrasjes nga amerikanët.

Tv Klan