Shqipëria po fiton gjithnjë e më shumë vëmendje në mediat ndërkombëtare si një destinacion turistik, jo vetëm për bukuritë natyrore dhe trashëgiminë kulturore, por edhe për lehtësitë që ofron për vizitorët e huaj.
Revista amerikane “Travel + Leisure” e ka përfshirë vendin tonë në listën e destinacioneve ku shtetasit amerikanë mund të qëndrojnë për 6 muaj ose më gjatë, duke veçuar mundësinë për të kaluar deri në 1 vit në Shqipëri pa pasur nevojë për vizë.
Kjo e bën Shqipërinë një alternativë tërheqëse për amerikanët që dëshirojnë të kalojnë më shumë kohë jashtë vendit të tyre, duke eksploruar jo vetëm destinacionet turistike, por edhe kulturën dhe mënyrën e jetesës.
Sipas rregullave në fuqi, pas përfundimit të qëndrimit 1-vjeçar, shtetasit amerikanë duhet të largohen nga Shqipëria dhe të presin 90 ditë përpara se të rikthehen.
Në artikullin e saj, revista ndalet edhe te destinacionet që ia vlen të vizitohen gjatë qëndrimit në Shqipëri.
Për kryeqytetin, Tirana, rekomandohen muzetë, kafenetë, jeta artistike dhe veçanërisht Bunk’Art-i, ish-bunkeri i shndërruar në muze historik.
Në listë përfshihet edhe Berati, i njohur si “Qyteti i një mijë dritareve”, për arkitekturën karakteristike osmane dhe kalanë historike, si dhe Shkodra, ku veçohen Kalaja e Rozafës dhe Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi.
Për turistët që preferojnë natyrën dhe aventurën, revista sugjeron Parkun Kombëtar të Thethit, me peizazhet alpine, ujëvarat dhe luginat e gjelbra, si dhe Syrin e Kaltër në jug të vendit, i njohur për ujërat e tij me ngjyrë të thellë blu.
Një tjetër destinacion i rekomanduar është Gjirokastra, qyteti i gurtë pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, ku vizitorët mund të eksplorojnë kalanë, muzeumet dhe rrugicat karakteristike.
Sa i përket bregdetit, vëmendje të veçantë marrin Ksamili, me ujërat bruz dhe plazhet me rërë të bardhë, Dhërmiu, për vijën e tij të gjatë bregdetare, si dhe Jala, e preferuar për ujërat e kristalta dhe mundësitë për not e zhytje.
Revista rekomandon që periudhat më të përshtatshme për të vizituar Shqipërinë të jenë pranvera, nga prilli deri në qershor, dhe fillimi i vjeshtës, gjatë shtatorit dhe tetorit. Këta muaj ofrojnë temperatura më të favorshme për të eksploruar vendin, duke shmangur edhe fluksin e lartë të turistëve të sezonit veror.
Gjithashtu, vizitorëve u sugjerohet të marrin pjesë në aktivitete kulturore që zhvillohen gjatë vitit, si Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Tiranë dhe Festivali Folklorik Kombëtar i Gjirokastrës.
Përveç Shqipërisë, në listën e “Travel + Leisure” përfshihen edhe vende të tjera ku shtetasit amerikanë mund të qëndrojnë për periudha të zgjatura, mes tyre Argjentina, Australia, Kanadaja, Meksika, Kolumbia, Gjeorgjia, Panamaja, Barbadosi, Mauritiusi, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Britania e Madhe.
Përfshirja në këtë listë e vendos Shqipërinë në vëmendjen e një audience më të gjerë ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah potencialin e saj si destinacion për pushime dhe qëndrime afatgjata.
/tvklan.al












Botërori 2026 
