11 persona u arrestuan nga policia e Tiranës pas protestës së opozitës, zhvilluar të premten, dhe 15 të tjerë u proceduan në gjendje të lirë.

Ata u referuan në Prokurori për 5 akuza, më të rëndat ato të “Goditjes për shkak të detyrës”, “Prodhimit dhe mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake” dhe “Shkatërrimit të pronës me zjarr”.

Policia thotë përmes një njoftimi zyrtar se disa prej të arrestuarve u kapën në flagrancë me sasi bombash molotov dhe lëndë piroteknike.

Po ashtu, janë referuar materiale hetimore në SPAK për deputetin Klevis Balliu për veprën penale të “Organizimit dhe pjesëmarrjes në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”, si dhe është vënë nën hetim edhe ish-kandidati për deputet i PD-së, Aulon Kalaja, për goditje për shkak të detyrës. Ky i fundit ishte një prej të lënduarve në protestë, ku u dërgua në spitalin e Traumës.

Ndihmë mjekësore, si pasojë e ndërhyrjes së policisë, morën edhe Klevis Balliu dhe Luçiano Boçi.
Nga ana tjetër, Policia thotë se të lënduar kanë mbetur edhe 5 punonjës policie. Menjëherë pas mbylljes së fjalimit nga ana e kreut të PD-së, bulevardi përballë Kryeministrisë u kthye në një shesh përplasjesh mes protestuesve dhe policisë, e cila ndërhyri në mesin e turmës.

Tv Klan

/tvklan.al