Harta e Covid-19 zgjerohet në Krujë, Tiranë, Shkodër

Arrin në 28 numri i viktimave në vendin nga Covid-19. Një 60-vjeçar nga Tirana, i cili vuante dhe nga sëmundje të tjera humbi jetën për shkak të covid.

“Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë një pacient 60-vjeçar në spitalin universitar “Shefqet Ndroqi”, i konfirmuar me COVID19, i shtruar prej dy javësh në reanimacion, i cili vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese. Deri sot, 28 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë sëmundje me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor”.

Gjatë 24 orëve janë konfirmuar pozitiv me Covid-10 edhe 14 raste të reja, shumica në Krujë.

“Vijon hetimi epidemiologjik nga ku rezulton se në Krujë  janë zbuluar 9 raste të reja, 4 raste pozitive janë në Tiranë, mes të cilëve një në institucionin e vuajtjes së dënimit, dhe 1 rast i ri është në Shkodër. Deri në këto momente janë testuar 7279 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 726 raste”.

Ndryshe nga një ditë më parë ku ishin 40 pacientë të shtruar në spital, e diela ka sjellë ulje të numrit të të hospitalizuarve nga koronavirusi.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 30 të shtruar nga të cilët 4pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar. 2 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4pacientë janë në pavijon. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 36 pacientë”.

Prej dy javësh kurba e të shëruarve në vendin tonë vijon të rritet, duke lënë pas numrin e të infektuarve aktive. Gjatë 24 orëve janë shëruar edhe 7 persona. Tirana ka numrin më të lartë të të shëruarve, e ndjekur më pas nga Shkodra dhe Durrësi.

“7 pacientë të tjerë, të gjithë nga Shkodra, i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar totalin e të shëruarve nga COVID-19 në 410. Aktualisht në vendin tonë 288 janë persona aktivë me COVID-19”.

Mes të shëruarve janë edhe 3 infermierë nga Shkodra dhe Kukësi, duke e çuar numrin total të të shëruarve të bluzave të bardha në 50.

Tv Klan