Një 15-vjeçar ka humbur dorën gjatë një përplasjeje mes policisë dhe protestuesve pranë një shkolle në qytetin Lens, në verilindje të Francës. Ngjarja ka ndodhur të hënën në mëngjes, 5 tetor, ndërsa në vend vijojnë protestat e nxënësve.
Prefekti i Pas-de-Calais, François-Xavier Lauch, tha se bëhet fjalë për një “incident shumë të rëndë”, por theksoi se jeta e të riut nuk është në rrezik. Sipas tij, 15-vjeçari u dërgua me urgjencë në një spital aty pranë.
Rreth 500 shkolla në të gjithë Francën u mbyllën pjesërisht ose plotësisht të hënën, ndërsa nxënësit protestojnë për kushtet e godinave shkollore dhe mungesën e stafit. Protestat e ditëve të fundit janë shoqëruar edhe me përplasje mes demonstruesve dhe policisë.
Ende nuk është e qartë se si ndodhi saktësisht plagosja e 15-vjeçarit. Agjencia AFP, duke cituar një burim nga sindikata e policisë, raportoi se i riu mund të ketë marrë në dorë një granatë me toptha gome të hedhur nga policia, e cila më pas shpërtheu.
Por një dëshmitare që ndodhej pranë tij ka dhënë një tjetër version. Ajo tha për gazetën rajonale “La Voix Du Nord” se 15-vjeçari nuk e kishte marrë dhe as nuk e kishte kapur granatën.
“Ai nuk e mori. Isha aty dhe e pashë. Ai nuk e mori, nuk e kapi”, tha vajza.
Edhe kryebashkiaku i Lensit, Sylvain Robert, tha se rrethanat e ngjarjes duhet të sqarohen. “Kam parë disa video që tregojnë pasojat e ngjarjes, por nuk pashë se si u zhvillua operacioni, as nga policia dhe as nga nxënësit”, deklaroi ai për mediat franceze.
Për rastin do të zhvillohet një hetim nga Inspektorati i Përgjithshëm i Policisë Kombëtare franceze (IGPN), me qëllim zbardhjen e plotë të ngjarjes.
Sipas prefektit Lauch, jashtë shkollës së mesme Auguste Béhal ishte mbledhur një numër më i madh nxënësish se në ditët e mëparshme. Ai tha se në fillim të mëngjesit protestuesit hodhën gurë, fishekzjarre dhe mjete të tjera drejt policisë lokale.
Pas përshkallëzimit të situatës, në zonë u dërguan forcat speciale të ndërhyrjes, të njohura si CRS, për të rikthyer rendin. Ishte gjatë këtij operacioni që ndodhi incidenti me 15-vjeçarin.
Pas ngjarjes, shkolla njoftoi se do të kalonte në mësimin online, me qëllim garantimin e sigurisë së nxënësve dhe stafit. Në shkollë është ngritur gjithashtu një njësi mbështetjeje për nxënësit dhe personelin.
Ky është rasti i dytë brenda pak ditësh ku një nxënës plagoset rëndë gjatë protestave në Francë. Javën e kaluar, një 14-vjeçar i quajtur Eden u plagos në kokë në Saint-Ouen-l’Aumône, pasi dyshohet se u godit nga një granatë me gaz lotsjellës.
Sipas avokatit të tij, 14-vjeçari pësoi frakturë të dyfishtë të nofullës dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje të rëndë kirurgjikale. Për këtë rast është nisur gjithashtu një hetim.
Nëna e tij, duke folur për mediat franceze, tha se djali aktualisht nuk mund të hajë normalisht dhe ushqehet vetëm me lëngje përmes një pipëze.
“Është e turpshme, është tronditëse, është e dhunshme, është e tmerrshme. Kjo nuk duhet të ndodhë. Ata po përballen me fëmijë që kërkojnë kushte më të mira për të studiuar”, u shpreh ajo.
/tvklan.al












Botërori 2026 
