Prej 1 Qershorit, në të gjithë vendin janë regjistruar mbi 150 vatra zjarri, duke shkaktuar dëme të shumta në kullota dhe bimësi. Arben Cara, Drejtor i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimit në një intervistë për Klan News tha se aktualisht ka disa vatra zjarri që janë aktive.

Arben Cara, Drejtor i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret dhe Shpëtimit: Momentalisht vatrat që janë problematike janë në zonën e Beratit, Pukës, Lurës dhe Qukësit, pra në Librazhd. Lura dy ose tre ditë që vazhdon, por ajo se çfarë ,und të themi është se zjarri është i njëtrajtshëm në barin e thatë, në bimësinë dhe kjo bën që të ketë një perimetër shumë të gjatë. Kjo bën që temperaturat e larta dhe sipërfaqja e madhe e vatrës së zjarrit vështirëson ndërhyrjen në kohë për ta vënë në kontroll.

Kreu i shërbimit zjarrfikës në Ministrinë e Brendshme, renditi edhe disa prej vatrave ku janë shkaktuar më shumë dëme që prej nisjes së stinës së verës.

Arben Cara, Drejtor i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret dhe Shpëtimit: Kryesisht vatrat më problematike dhe vatrat që kanë dashur ndërhyrjen e të gjitha strukturave dhe organizatave ligj zbatuese kanë qenë vatrat në Dropull, Gjirokastër, Himarë, Delvinë dhe Llogara.

Deri më tani janë identifikuar 7 persona të cilët dyshohet se janë përgjegjës për disa prej vatrave të zjarrit. Teksa ripërsërit dënimet sipas Kodit Penal, Cara apelon qytetarët të kenë më shumë kujdes.

Arben Cara, Drejtor i Përgjithshëm i Mbrojtjes nga Zjarret dhe Shpëtimit: Me apo pa qëllim zjarri është i dënueshëm sipas Kodit Penal nga 3 deri në 5 vjet, 5 deri në 10, 15 apo edhe 20 vite heqje lirie në bazë të shkaktimit të dëmit që i bëhet, jetës, pronës dhe gjithçka që ne na rrethon. Këto ditë të nxehta, cigaret të mos hidhen nga makina, të mos bëhen barbercue nëpër parqet, zjarret të ndalohen, pra gjithçka që ka të bëjë me zjarrin të ndalohen në këto ditë përvëluese pasi shkaktohet zjarri dhe dëmet nuk janë të pakta, janë shumë të mëdha.

Sipas kreut të shërbimit zjarrfikës, disa prej vatrave janë shkaktuar aksidentalisht por ka patur raste dhe që janë ndezur qëllimisht.

Klan News