Mjekët: Infektohen dhe përhapin virusin si të rriturit

Rastet e fëmijëve me Covid janë prezent çdo ditë. Sipas të dhënave zyrtare 3% e totalit të të infektuarve me Covid e zënë fëmijët deri në 14 vjeç. Mjekët pediatër thonë se shenjat klinike janë të ndryshme nga një fëmijë tek tjetri.

Në përgjithësi fillojnë si viroza të traktit respirarot. Një fëmijë me një kollë të thatë, me rrufë, me mungesë dëshire për ushqyerje, me një zbehtësi të lehtë. Ka fëmijë që na vijnë me çrregullime të traktit gastroisten, me të dala shpesh jashtë, të vjella, dhimbje barku dhe mungesë të dëshirës për t’u ushqyer. Sezoni nuk është për gastroenterite ndaj dhe këtu mendojmë se hyn Covid në lojë”, thotë pediatrja Makbule Naipi.

Të vegjlit e kalojnë Covid brenda 1 jave, por adoleshentët duan më shumë kohë.

“Fëmijët e grupmoshës mbi 10 vjeç deri në 14-15 vjeç po na paraqesin një kuadër klinik thuajse si të rriturit, mbase se vijnë pak më vonë se grupmoshat më të vogla dhe anashkalojnë shumë shenja fillestare dhe na vijnë në një faze mbase më të avancuar. Në këtë grupmoshë kërkojmë ndihmën e laboratorit”.

Ndryshe nga sa u tha në fillim të pandemisë që fëmijët nuk preken dhe nuk e transmetojnë virusin, situata është krejt ndryshe aktualisht edhe pse ende nuk ka një shpjegim.

“Mbase karantinimi i atyre periudhave, veçimi i fëmijëve për të mos hyrë në komunitete bëri që të krijonte atë idenë se nuk e transmetojnë fëmijët.  Rihapja e shkollave, rihapja e kontakteve, grumbullimet e fëmijëve nxorri në pah që fëmijët jo vetëm që preken por e transmetojnë goxha mirë tek të rriturit”.

Mjekët apelojnë që ashtu si të rriturit edhe fëmijët që kanë shenja klinike të izolohen dhe të mos dërgohen në çerdhe, kopshte apo shkolla.

Tv Klan