Kur gjyqi në Hagë ndaj katër ish-udhëheqësve të UÇK-së po shkon drejt përfundimit, një rezolutë e nënshkruar nga 30 deputetë të Parlamentit të Zvicrës i është dorëzuar Gjykatës Speciale.
Në këtë rezolutë kërkohet nga Gjykata e Hagës të jetë e drejtë, e paanshme dhe e barabartë. Nënshkruesit apelojnë që ndaj ish-krerëve të UÇK-së të respektohen parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe fryma e Statutit të Romës, i ratifikuar dhe miratuar nga Parlamenti zviceran.
Deputetët që kanë nënshkruar rezolutën vijnë nga të gjitha partitë politike kryesore në Zvicër, duke treguar një lloj konsensusi mbi nevojën për një proces të drejtë.
Rezoluta është dorëzuar në Dhomat e Specializuara nga veprimtari Sali Bislimi. Ajo ishte iniciuar nga shoqata “Zëri Perëndimor i Kosovës” dhe është mbështetur nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së.
Bislimi kërkesën e ZPS-së për 45 vjet burgim për secilin nga ish-krerët e UÇK-së e ka konsideruar skandal dhe ofendim për drejtësinë ndërkombëtare.
Ndërsa, kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati, tha se mbrojtja e ish-krerëve të UÇK-së ka hedhur poshtë të gjitha pikat e aktakuzës së Speciales.
Kryeprokurorja e ZPS-së, Kimberly West, ka kërkuar dënim me burgim prej 180 vitesh për 4 ish-krerët e UÇK-së.
Ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit kanë kërkuar që të njëjtit të shpallen të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Ata kanë deklaruar para trupit gjykues se nuk ka asnjë provë që argumenton pretendimet për krime lufte.
/tvklan.al












Botërori 2026 
