Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka hapur garën për postin e Prokurorit të Përgjithshëm.

Siç raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci, kandidatët kanë afat 30 ditë për të dorëzuar dokumentet, duke filluar nga dita e nesërme, 3 korrik.

Kujtojmë se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm aktual, Olsian Çela, përfundon në dhjetor të këtij viti.

Sipas ligjit, Prokurori i Përgjithshëm ushtron detyrën për një mandat 7-vjeçar, pa të drejtë rikandidimi.

Kandidatët duhet të plotësojnë këto kushte:

– Të kenë 15 vjet përvojë pune si jurist i spikatur
– Të jenë diplomuar në Shkollën e Magjistraturës ose të kenë gradë shkencore në drejtësi
– Të mos kenë mbushur moshën e daljes në pension sipas nenit 64, pika 3, të ligjit nr. 96/2016
– Të mos kenë mbajtur, gjatë 10 viteve të fundit, funksione politike në administratën publike
– Të mos kenë mbajtur, gjatë 10 viteve të fundit, pozicione drejtuese në partitë politike
Të mos kenë qenë anëtarë, bashkëpunëtorë ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para datës 2 korrik 1991
– Të mos jenë dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale
– Të mos kenë qenë bashkëpunëtorë, informatorë ose agjentë të shërbimeve të inteligjencës
– Të mos kenë masë disiplinore në fuqi

Pas përfundimit të afatit të aplikimit, Këshilli do të vijojë me verifikimin e dokumentacionit, vlerësimin e kandidatëve dhe zhvillimin e procedurave të mëtejshme të përzgjedhjes, në përputhje me Kushtetutën, ligjin dhe rregulloren përkatëse.


/tvklan.al