Dy vjet pas aksidentit në Tempi të Greqisë ku dy trena u përplasën, 30-vjeçarja Evi Tsapari e cila mbijetoi, u rikthye tek vendi kur përjetoi momentin më të tmerrshëm të jetës së saj.
Kur treni doli nga shinat atë natë në vitin 2023, xhamat u thyen dhe dritat u fikën. Për të shpëtuar, Tsapari u hodh nga dritarja. Ajo qëndroi në spital për tre ditë dhe tani është në proces rikuperimi.
Ekspertët dhe kritikët kanë nxjerrë në pah dështimet e sigurisë dhe dekada të neglizhencës së hekurudhave të Greqisë, asnjë politikan i lartë nuk është përballur me hetimin mbi aksidentin më të rëndë në historinë e vendit. Kjo pasi sipas tyre ata mbrohen nga ndjekja penale.
Tsapari është mes 1.4 milionë njerëzve që kanë nënshkruar një peticion për të rrëzuar atë ligj.
“Ka qenë e vështirë për mua të vij në stacion, sepse mundohem ta shmang që nga ajo natë, veçanërisht aty ku po qëndrojmë tani, ishte vendi ku na sollën autobusët nga Tempi. Eshtë e vështirë për mua, po dridhem tani. Mendoj se po filloj të kuptoj se çfarë ka ndodhur”, rrëfeu Evi Tsapari.
Mijëra njerez dolën në rrugë muajin e kaluar në përvjetorin e dytë të përplasjes së trenave, i nxitur nga zemërimi për mungesën e sigurisë, por edhe nga një mosbesim ndaj qeverisë dhe politikanëve pas disa skandaleve dhe fatkeqesive qe kane ndodhur vitet e fundit.
Revolta e qytetarëve ka dobësuar edhe Kryeministrin Kyriakos Mitsotakis, popullariteti i të cilit është zbehur në sondazhe që kur ai fitoi në vitin 2023. Megjithëse, ai zëvendësoi Ministrin e Transportit javën e kaluar.
“Ligjërisht, çështja nuk po shkon aspak siç duhet dhe mendoj se në fund të fundit sistemi i drejtësisë nuk është aq i paanshëm sa pretendon të jetë”, tha Tsapari.
Mitsotakis dhe qeveria e tij, e cila erdhi në pushtet në vitin 2019, mohon akuzat për korrupsion në lidhje me aksidentin e trenave.
“Kemi muaj përpara për ta bërë më të mirë jetën e qytetarëve, diçka që mund të ndodhë vetëm me ndryshime të mëdha. Qeveria jonë preferon lëvizjen drejt progresit, ndaj motoja jonë nuk mund të jetë tjetër veçse, “më e shpejtë dhe më e guximshme”, u shpreh kryeministri Kyriakos Mitsotakis.
Dy vjet pas përplasjes së trenave, ka probleme sa i perket sigurisë, sipas Autoritetit të Hetimit të Aksidenteve Ajrore dhe Hekurudhore të Greqisë.
Mitsotakis përsëriti një zotim për të modernizuar rrjetin hekurudhor, këtë herë deri në vitin 2027, dhe të punësojë një kompani të huaj për të marrë përsipër mirëmbajtjen e tij.
“Urdhri i kryeministrit është i qartë, duhet të ecim shpejt me të gjitha projektet e mëdha të infrastrukturës në vend, të cilat do të përmirësojnë cilësinë e jetës dhe sigurinë e transportit”, shprehet ministri i Infrastrukturës dhe Transportit Christos Dimas.
Por të afërmit e kanë akuzuar qeverinë për një manipulim të provave të cilat i ka mohuar. Parlamenti ka afat deri në Tetor për të hetuar ministrat e tjerë përpara se të hyjë në fuqi një statut kufizimesh, sipas ish-zëvendëskryeministrit dhe profesorit të drejtësisë Evangelos Venizelos.
“Ka pasur krime në të kaluarën dhe ne vazhdojmë të shohim që drejtësia nuk është vënë askund. Në Greqi, kudo që janë përgjegjës figurat politike, ata nuk janë dënuar kurrë”, tha Anastasios Beretas.
Kritikët thonë se besimi te politikanët u thye shumë kohë përpara katastrofës hekurudhore të vitit 2023.
“Edhe ne si përfaqësues ligjorë mendojmë se sistemi i drejtësisë është i paaftë të arrijë deri në thelbin e problemit, të shërojë problemin, t’i shërbejë drejtësisë dhe t’i bëjë qytetarët të ndjejnë se jetojnë në një shoqëri të mirëqeverisur”, tha avokati Alexandros Papasteriopoulos.
Ndër fatkeqësitë e tjera të fundit, në vitin 2018 një zjarr bllokoi banorët në qytetin bregdetar të Matit, ku humbën jetën 104 persona që prisnin evakuimin. Të mbijetuarit akuzuan autoritetet për dështimin në koordinimin e operacioneve të shpëtimit dhe reagimin shumë të ngadaltë.
Qeveria dhe autoritetet lokale e hodhën poshtë këtë akuzë, duke fajësuar zjarrvënësit dhe erërat e forta që favorizuan flakët.
Në vitin 2017, 25 njerëz humbën jetën nga përmbytjet në qytetin e Mandras, për të cilat banorët fajësuan kryesisht dështimin e autoriteteve për të vepruar në lidhje me paralajmërimet e mëparshme të sigurisë dhe infrastrukturën e dobët.
Që nga vitet 1990, Greqia është tronditur gjithashtu nga një sërë skandalesh politike. Në vitin 2022, një përgjim shkaktoi dorëheqjen e ndihmësit më të afërt të Mitsotakis dhe prokurori i Gjykatës së Lartë më vonë e pushoi çështjen.
Për të gjitha rastet, vetëm disa ministra kanë marrë përgjegjësi.
Në zgjedhjet e vitit 2023, Kostas Karamanlis, i cili ishte ministër i Transportit gjatë përplasjes së trenave dha dorëheqjen. Vetëm një e treta e grekëve besojnë se demokracia dhe shteti i së drejtës janë të mbrojtura mirë në Greqi, sipas një sondazhi nga BE, rezultati më i ulët në bllok.
Klan News