Bandat e drogës po kopjojnë gangsterat nga filmat amerikanë, si The Wire, ndërsa dhuna në rrugët e Londrës po del jashtë kontrollit.

Frika, që ka filluar të ndihet kryesisht nga ata që jetojnë në kryeqytetin britanik, vjen pasi autoritetet nisën hetimet për vrasjen e një 35-vjeçari shqiptar, përgjatë fundjavës.

Edmond Jonuzi u godit me thikë në veri të Londrës, mbrëmjen e së shtunës. Ai u gjet i pajetë pranë stacionit të metrosë Turnpike Lane, pasi u sulmua me thikë në një park aty pranë, rreth orës 21:30.

Vrasja e tij, që sipas të përditshmes britanike The Sun, dyshohet të ketë ardhur për shkak të një borxhi që lidhet me pazaret e drogës, e çon numrin e viktimave në kryeqytetin britanik në 78 për këtë vit.

Një banor i zonës tha se gangsterët po rekrutojnë anëtarë të rinj në mes të ditës, të cilët e fshehin kanabisin nëpër shtyllat e dritave në rrugë dhe bahçet e shtëpive të fqinjëve të tij.

“Është padyshim një rrjet shumë i organizuar. Mendoj se shumë gjëra i kopjojnë nga The Wire”,

tha ai.

The Wire është një serial i HBO, që fokusohet në trafikun e drogës dhe vrasjet në West Baltimore, Maryland. Ky serial tejet popullor njihet për profilizimin e detajuar që i bën trafikut të drogës dhe mënyra sesi funksionon kjo perandori.

Banorët thonë se anëtarët kryesorë të bandës që po vepron në rrugët e Londrës, janë rreth 10 persona.

“Sado që dëshiroj të jem dashamirës ndaj policisë, mjafton të qëndrosh këtu vetëm 2 minuta dhe mund të shohësh sesi funksionon ky rrjet. Nuk ka konkurrencë, është e gjitha një bandë. I sheh teksa dalin nga metroja dhe hipin në autobus”

, tha një banor.

Policia ka zhvilluar kontrolle pranë skenës së krimit në Turnpike Lane, duke fotografuar zonën dhe duke mbledhur provat.

Hetuesit besojnë se Jonuzi u godit gjatë një përplasje mes dy grupe meshkujsh.

Sipas detektivit Garry Moncrieff, 35-vjeçari u godit pikërisht gjatë kësaj përplasjeje dhe humbi jetën në vendin e ngjarjes. Ai sqaroi se familjarët e shqiptarit janë njoftuar ndërsa priten rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore.

Vrasja e tij vjen në një kohë kur të hënën Londra u përball me një seri të përgjakshme sulmesh, që la 3 të plagosur me thikë në vetëm pak orë. Në mesin e tyre ishte edhe një 17-vjeçar, i cili po lufton për jetën në spital.

/tvklan.al