Këtë të Mërkurë në GJKKO është mbajtur seanca për “Gërdecin”, ku i pranishëm ka qenë ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu dhe 4 dëshmitarë të tjerë.
Siç raporton gazetarja e Klan News Glidona Daci, këta të fundit janë Dritan Minxolli (drejtor i fabrikës së demontimit të armëve), Sokol Ngjeci (ish-ushtarak), Besnik Dauti (ish-ushtarak) dhe Rezart Tërshana (jurist). Mësohet se dy prej dëshmitarëve kanë refuzuar të japin përgjigjie, duke theksuar se kanë folur në seancat e mëparshme.
“Kemi ardhur në respekt të fletëthirrjes. I kemi thënë të gjitha në procesin e parë”, mësohet të kenë thënë ata në sallën e gjyqit. I vetmi që ka dhënë shpjegime para trupës gjykuese ka qenë Tërshana, i cili vlen të theksohet se ka qenë anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Çmimeve për Municionet. “Jam dënuar në mënyrë të padrejtë nga Apeli”, ka thënë ai.
Ndërkohë jashtë ambienteve të SPAK, Fatmir Mediu u shpreh se çdo person i përfshirë në këtë ngjarje duhet të pyetet në mënyrë që të zbardhet e vërteta. Mediu thotë se çdo element duhet të jetë pjesë e dëshmisë, përfshirë këtu dhe shpjegimet e shtetasve të huaj të kompanisë që bëri procesin e demontimit në atë kohë.
“Sa i përket thirrjes së dëshmitarëve, është detyrim i prokurorisë që të jenë prezentë, mundësisht nëse nuk kanë pyetje vetë, të paktën të dëgjojnë pyetjet tona sepse ndihmojnë në zbardhjen e procesit. E para, mendoj se nëse ka mangësi në mënyrën si ka proceduar Prokuroria nuk është pjesë e Ministrisë së Mbrojtjes. Mendoj që është kompania që ka pasur kontratën, që ka bërë procesin e demontimit, transaksionet e ndryshme, ka prezantuar te Ministria teknologjinë. Çdo element duhet të ishte pjesë e dëshmisë. “
Për faktin që disa dëshmitarë nuk pranuan të flasin, ai u shpreh: Në dijeninë time, sado e cunguar të jetë, një i bashkëpandehur ka të drejtë të heshtë, por edhe t’u përgjigjet pyetjeve që i konsideron të rëndësishme. Ka ca pyetje që janë të palës tonë, s’ka pasur asnjë marrëdhënie subjektive, në marrëdhëniet që kanë të bëjnë me procesin. Nëse dëshmitarët s’duan të pyeten, mos të kemi më asnjë tentativë.
Përpos kësaj, ish-ministri tha se ai vetë është i gatshëm të pyetet në çdo moment, por me akt real.
“Unë e bëra deklarimin tim në seancë, jam i gatshëm të pyetem. Kam pritur 17 vjet, por duhet të konsultohem me avokatët, duhet të ketë një akt real të pyetjes time, jo akt formal, brenda dhe jashtë sallës. Në llogjikën time akti i pyetjes duhet të jetë kur të jenë rezauruar aktet e tjera. Kam kërkuar në çdo seancë që të përgjigjem në raport me të vërtetën. Kam ardhur për t’u ballafaquar, e bëj në sallën e gjyqit.”
“Do doja që secili të vijë e të përgjigjet, është një marrëdhënie që ka të bëjë me ata, ka të bëjë në fund të fundit me humbje jetë njerëzish ku secili ka përgjegjësi penale dhe morale”, përfundoi Mediu.
Po ashtu mësohet se ka mbërritur në GJKKO një letërporosi për pyetjen e shtetasve amerikanë që kanë të bëjnë me kompaninë e demontimit.
Autoritetet e SHBA kërkojnë që të plotësohet kërkesa e bërë nga drejtësia jonë për çështjen e Patrick Henry dhe personave të tjerë. Ata kërkojnë të dijnë statusin e tyre penal, cili është interesi i tyre për hetimin, për çfarë shërbejnë dëshmitë. Siç bën me dije gazetarja Daci, nëse plotësohet kjo letërporosi seanca gjyqësore mund të zhvillohet më 12 Maj 2024.
Kujtojmë se Patrick Henry ishte bashkëpronar me 25% të aksioneve në kompaninë e demontimit të armëve në Gërdec.
/tvklan.al












Botërori 2026 
