17 të shëruar në 24 orët e fundit

7 persona të tjerë me Covid-19 i shtohen listës së të infektuarve. Por numri është në rënie të ndjeshme, krahasuar me të enjten që regjistroi 17 raste. Të infektuarit janë në Tiranë e Shkodër.

“Në 24 orët e fundit janë konfirmuar 7 raste të reja me COVID-19. Deri në këto momente janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 416 raste. Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë me 3 raste, Shkodër 4 raste”.

Por për specialistët e Shëndetit Publik, edhe pse këto qytete kanë numrin më të lartë të të infektuarve, ato kanë ardhur paralelisht më numrin më të lartë të të shëruarve. Deri tani, personat që janë shëruar nga koronavirusi në vendin tonë ka arritur në 182.

Në dy spitalet Covid po marrin ndihmë mjekësore 56 pacientë, 5 prej tyre janë të intubuar.

“Në shërbimin infektiv aktualisht janë 50 të shtruar. 6 prej tyre janë në terapi intensive, dhe 1 pacient është i intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 6 pacientë të shtruar gjithsej, ndërsa 4 pacientë janë të intubuar”.

Mes të shtruarve janë edhe dy personel mjekësor, por deri tani 30 mjekë e infermier rezultojnë të shëruar. Që në nisje të pandemisë së Covid-19, në vendin tonë janë infektuar edhe 8 oficerë policie, 3 prej tyre janë evidentuar të enjten.

Për këtë arsye, një tunel për dezinfektimin e personelit, pas Drejtorisë së Tiranës është vendosur edhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë, ku janë evidentuar të paktën 2 të prekur.

Fatkeqësisht 23 persona kanë humbur betejën me koronavirus, pasi kanë pasur edhe probleme të tjera shëndetësore.

Tv Klan