Partia Demokratike ka hyrë në një fazë procesi zgjedhor të brendshëm.
Këtë të enjte, 30 prill, në orën 12:00 ka skaduar afati për dorëzimin e kandidaturave për postin e kryetarit të forcës opozitare më të madhe në vend.
Deri më tani, raportohet se kanë shprehur vullnetin e tyre për postin e kryedemokratit, Sali Berisha (kreu aktual), Ervin Salianji (ish-deputet), Evi Kokalari (aktiviste), Mereme Sela (mjeke) dhe Alesia Balliu. Kjo e fundit, ish-anëtare e Këshillit të PD-së dhe kritike e Berishës.
Emër suprizë mbetet ai i mjekes, me një profil më të ulët publik, por që ka qenë e angazhuar në këtë parti dhe ka marrë pjesë në Primare.
Ndërkohë, Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Flamur Noka, deklaroi në një prononcim për gazetarët se demokratët kanë qenë tejet transparent në këtë proces.
“Ka pasur një muaj kohë për këdo që aspiron”, deklaroi ai. Megjithatë, siç shpesh ndodh, nuk munguan as përplasjet e tij me gazetarët. “Si bëhet gara, vetëm me një njeri?!“, iu drejtua njëri prej tyre.
Vlen të theksohet se Salianji e ka çuar kandidaturën e tij në seli pëmes përfaqësuesve, por siç sqaroi gazetari i Klan News, Enkel Xhangoli, ata nuk janë lejuar të futen brenda. Kështu, kandidaturën e tij e ka dorëzuar në formë elektronike. Në të njëjtën formë ka vepruar edhe Kokalari apo Balliu, pasi përfaqësues të tyre janë ndeshur me të njëjtën situatë në selinë blu.
Me aq sa raportohet, e vetmja që nuk ka pasur pengesa me dorëzimin e kandidaturës është mjekja Sela.
Pritet që sot të mësojmë kandidaturat zyrtare, ndërsa Berisha ndodhet në Zagreb, në forumin e IDU-s.
Sipas udhëzimit, përveç integritetit të figurës kandidati duhet të ketë patur dhe një angazhim të paktën 10-vjeçar në PD. Po ashtu, kërkohet eksperiencë drejtuese në nivel kombëtar ose rajonal në beteja politike dhe për çështje qytetare.
Teksa procesi i zgjedhjes së kryetarit finalizohet më 23 maj, në fund të muajit të ardhshëm demokratët do të mbledhin Kuvendin Kombëtar, për të diskutuar mbi aksionet e PD-së dhe ndryshimet në strukturat e saj.












Botërori 2026 
