Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, në një konferencë për mediat këtë të enjte, më 26 mars, ku ka folur mbi një sërë çështjesh, duke nisur nga përplasja e tij me ish-deputetin Ervin Salianji, akuzat ndaj qeverisë si dhe protestat e radhës të opozitës.

Në këtë konferencë, Berisha u pyet lidhur me përplasjen e tij me ish-deputetin demokrat Ervin Salianji, i cili pretendon se është përjashtuar nga lidershipi i PD-së prej partisë. Ai komentoi kundërshtimin që deputetja Jorida Tabaku i bëri përjashtimit të Saliajit, duke u shprehur se ai është vetëpërjashtuar.

“Deputetja ka shprehur mendimin e vet dhe kjo është një gjë krejtësisht normale. Së dyti, nuk është përjashtuar, është vetëpërjashtuar. Vetëpërjashtimi është kur ti shkel në mënyrë flagrante ato që thotë statuti. Kjo është e vërteta. Për dijeni nuk ka patur asnjë funksion, as në Këshill Kombëtar, as në Kryesi. Në asnjë institucion. Pasi doli nga burgu, për ta respektuar u fut në Kryesi përkohësisht, por tregoi se nuk ishte i denjë. U vetëpërjashtua me aktet që bëri, kaq. Bashkëpunimin me krimin nuk e fal kjo parti!”, tha Berisha.

Ndërkohë, i pyetur në lidhje me protestën e ardhshme, Berisha tha se “do të jetë shumë shpejt dhe shumë e fuqishme”, megjithatë nuk bëri të ditur një datë.

Sipas tij, sot rruga e vetme është protesta.

Çmimi i karburanteve, Berisha: Nuk ka nevojë për Bord!

Rritja e çmimit të karburanteve ishte një tjetër çështje që u prek gjatë diskutimit të Berishës me gazetarët. Ngritjen e Bordit të Transparencës dhe masat e marra deri më tani nga qeveria, Berisha i konsideroi si “në shkelmim flagrant” të interesave të qytetarëve dhe “në mbrojtje të oligopolit dhe interesave” të qeverisë.

“Nuk ka nevojë për bord, përgjysmo taksat, vendos nivelin e taksave që ka Kosova dhe Maqedonia dhe pastaj le të guxojë kush të shesë një qindarkë më shtrenjtë naftën në pompat e Shqipërisë që të marrë atë që meriton.

Por nëse ke vendosur ngarkesën fiskale shumë më të lartë se vendet e OECD,33 përqind më të lartë se vendet e OECD, të cilat i kanë të ardhurat për frymë pesë ose gjashtë herë më të lartë se Shqipëria, atëherë ti ke vendosur gjobë të rëndë mbi qytetarët e vendit.”, shtoi Berisha.

Berisha: Adriana Kalaja është kërcënuar me jetë nga vrasës digjitalë të Ramës

Mes të tjerash, Berisha deklaroi se avokatja dhe aktivistja e PD-së Adriana Kalaja, ka marrë kërcënime me jetë pas padive të njëpasnjëshme që ka ngritur kundra kryeministrit Rama dhe zyrtarëve të tij.

“Çështje tjetër që dua të paraqes këtu, të denoncoj me forcën më të madhe Edi Ramën. Prej mbi një muaji dhe më shumë, Adriana Kalaja, anëtare e Këshillit Kombëtar të PD dhe kryetare e gjykatës së saj, ka marrë kërcënime me vdekje për paditë që ajo i ka bërë personalisht Edi Ramës dhe Linda Ramës në Skap për sarajet e Surrelit dhe aferat e tjera korruptive.”, tha Berisha, i cili shtoi se policia e bëri detyrën e vet, duke e përcjellë çështjen në prokurori.

Por sipas tij, “është bërë një muaj dhe çështja fle në prokurorinë e Tiranës me gjithë emergjencën që ka kërcënimi me jetë i një njeriu” dhe nuk është hapur ende asnjë çështje penale.

“Faqja në ueb e vrasësit digjital me pagesë të Edi Ramës është e hapur.Por vrasësi dixhital me pagesë i Edi Ramës është i mbrojtur nga Edi Rama dhe as faqja nuk i mbyllet.”, shtoi kryetari i PD-së.

Berisha për Ramën: Akti që mbylli dyert e integrimit, e lakmojnë dhe ajatollahët e Teheranit

Kryedemokrati vijoi me akuzat ndaj kryeministrit Edi Rama, sa i takon çështjes së imunitetit të ish-zëvendëskryeministres Belinda Ballukut.

“Prej dy javësh, Edi Rama përpiqet të varrosë krimin e tij më të shëmtuar, vendimin për bllokimin e hetimit dhe arrestimit të Lubi Ballukut për shkak se është vetë direkt autor i dosjes, ose protagonisti kryesor i dosjes. Siç e shikoni, emri Balluku, është i ndaluar të përdoret në studiot televizive. Nuk ekziston më në asnjë lajm, në asnjë debat, në asnjë koment akti më i rëndë në historinë e pluralizmit në Shqipëri. Grushti i shtetit, akti në të cilën Edi Rama, mori publikisht para shqiptarëve dhe komunitetit shqiptar të gjitha pushtetet në një dorë. Akti përmes të cilit ai asgjësoi një institucion, i ngarkuar për akuzën e zyrtarëve imunitarë, në rast se ata përfshihen në vepra korruptive. Akti me të cilin ai de facto i mbylli dyert integrimit europian, të Shqipërisë dhe shqiptarëve është shkalla më e lartë e censurës që do ia kishin lakmi edhe ajatollahët e Teheranit.”, tha Berisha.

Kryedemokrati i vazhdoi akuzat më tej, duke thënë se Parlamenti është vënë në shërbim të kryeministrit Rama, duke thënë se ka dy javë që ka mbyllur dyert. “Edhe parlamentin e shndërrojnë në një institucion privat.”, shtoi ai.